2012-12-21 13:46:08

Atë Domeniko Pasi, jezuit, në përvjetorin e lindjes


Më 21 dhjetor kujtojmë Atë Domeniko Pasi, i njohur si Patër Deda i Madh, jezuit, në përvjetorin e lindjes. Jezuitin e jashtëzakonshëm misionar në Shqipëri e quajtën Patër Deda i Madh, jo vetëm sepse kishte shtat vigan, por kryesisht sepse vigan kishte shpirtin, kulturën, dashurinë, vëllazërimin e jashtëzakonshëm. Për ta përshkruar si duhet portretin e Atë Domeniko Pasit, misionar jezuit italian, duhet të lexosh tre vëllimet e veprës monumentale "Albania". E, po sa ta kesh kryer së lexuari, do të kujtohesh se jeta e këtij misionari të ndritur është krejtësisht e shkrirë me jetën e popullit shqiptar.
Ishte Atë Deda i Madh ai që themeloi misionin e famshëm shëtitës të jezuitëve, i cili i ngjitej shkrepave e majeve të maleve shqiptare, mbuluar me dëborën e përjetshme e ulej rreth vatrave malësore, ku vrisnin njëlloj ngrica e arma, për të zbutur jetën e për të pajtuar gjaqet. Rreth këtij misioni, kudo i shkelte këmba, mblidheshin burra e gra, pleq e fëmijë, për të dëgjuar fjalën e Krishtit, për të falur e për t'u pajtuar në emër të tij.
Atë Deda e shkriu një pjesë të mirë të jetës ndërmjet këtyre njerëzve, për t'u kthyer herë pas here në Kolegjin Saverian në Shkodër, ku kishte qenë i pari rektor e ku kishte botuar shumë tekste për shkollat shqipe.
Në netët e errëta të bjeshkëve, nën dritën e pishtarit, ai ulej përdhé e shkruante mbresat e ditës, të ditëve, historinë e atij vendi e atyre njerëzve të thjeshtë, të ngatërresave, armiqësive, gjaqeve, pajtimit e paqes që binte ndër vatrat ku hynte Kryqi.
Shkruante historinë e luftës e të paqes, të njerëzve e të Kishës. Kur kthehej pastaj në Shkodër, e përpunonte materialin, të cilin sa qe gjallë nuk mundi ta shihte të botuar. Duke ecur në gjurmët e tij, shkrimet e Atë Dedës së Madh, i përpunoi dhe i botoi sivëllai, Atë Kordinjano, duke na lënë trashëgim tre vëllimet e "Albanisë". Nuk është lehtë ta njohësh e ta tregosh jetën e misionarit të madh jezuit. Ne vetëm sa e kujtuam sot, me mirënjohje të thellë, në 160 vjetorin e lindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.