2012-12-20 14:25:07

Çelësi i fjalëve të Kishës: antifonat e mëdha, ose antifonat "O"


Elementi më karakteristik i javës, që shkon nga 17 deri më 23 dhjetor, e që nuk duhet ngatërruar me nëntëshen e Krishtlindjes, është prania në liturgji e të ashtuquajturave “antifona O”, apo “antifonat e mëdha”. Ato përdoren si në Liturgjinë e Orëve, ashtu edhe në kremtimin e Eukaristisë, si Aleluja para Ungjillit. Çfarë janë këto antifona dhe cilat janë? Ky është argumenti i emisionit të sotëm.

Antifonat quhen “O”, pasi fillojnë pikërisht me këtë pasthirrmë, e cila ndiqet nga njëri prej titujve, që i jepen Jezusit. Janë shtatë lutje shumë të lashta, zanafilla e të cilave nuk dihet, por është e sigurtë se kanë hyrë në liturgji në shekullin IX. Përbëhen nga pjesë të marra nga Bibla, e kryesisht nga versioni latin i shën Jeronimit e, po t’i mbledhësh së bashku, shihet se thirrja fillestare përvijon një temë biblike të veçantë: O Urti, o Zot (Adonai), O Rrënja e Jeseut, O Çelës i Davidit, O Yll që lind, O Mbret i njerëzimit, O Emanuel, Zoti-me-ne. Nëse vendosen në rresht nga e fundit tek e para, shkronjat fillestare të çdo titulli, që i atribuohet Jezu Krishtit, përmes këtyre antifonave, shihet se ato formojnë frazën latine “ERO CRAS”, që do të thotë “Nesër do të jem këtu”. Është premtimi për ardhjen e Krishtit mes nesh, arsyeja për të cilën këto antifona na përgatisin për lindjen e Birit të Zotit.
Në kohë të vjetra, ato këndoheshin me solemnitet të madh në katedrale e manastire. Edhe reforma liturgjike e Koncilit II të Vatikanit i ruajti, jo vetëm sepse janë shumë të bukura nga pikpamja letrare, por edhe sepse i përkasin një tradite të lashtë e të pandërprerë, që i ka sjellë të paprekura deri në ditët tona. Antifonat “O” janë burim frymëzimi e lutjeje për ardhjen e Hyjit e na shoqërojnë në mënyrë sublime në ditët e fundit të Kohës së Ardhjes. Duke përshkuar rrugën nëpër të cilën na çojnë, ndjejmë se Misteri që përfaqësojnë, ndodh vërtet. O mahnitje – mund të themi edhe ne duke perifrazuar antifonat “O” – që na pushton, ndërsa ecim nëpër etapat më domethënëse të historisë së Shëlbimit, për të arritur në fundin e saj të lumtur, në përmbushjen e saj në Jezu Krishtin, i cili bëhet Njeri për Njeriun! Krishtlindja e përjetuar duke u lutur me “antifonat e mëdha” na bën të kuptojmë dhuratën e jashtëzakonshme, që Ati Qiellor i ka bërë secilit prej nesh në Birin e Tij, i cili vjen të banojë ndër ne. Jo në një shtëpi në Betlehem, si 2000 vjet më parë, por brenda nesh: zemra jonë bëhet Shtëpia e Tij, grazhdi ku lind vit për vit!
Por ja cilat janë antifonat “O”, apo antifonat e mëdha:
Më 17 dhjetor, lutemi: “O Urti, që del prej Tejetlartit, përhapesh deri në kufijtë e botës dhe gjithçka nënshtron me fuqi e ëmbëlsi: eja e na mëso udhën e jetës”.
Më 18 dhjetor: “O Zot (Adonai), udhëheqës i shtëpisë së Izraelit, ti që iu duke Moisiut si zjarr në ferra e i dhe ligjin mbi malin Sinaj: eja e na liro me krahun tënd të fuqishëm”.
Më 19 dhjetor: “O Rrënja e Jeseut, që lartohesh si flamur për kombe: para Teje mbeten shtang turmat e popujve, edhe mbretërit gojëhapur: eja të na lirosh, mos vono!”
Më 20 dhjetor: “O Çelës i Davidit, skeptër i shtëpisë së Izraelit, që çel e askush s’mund të mbyllë, që mbyll e askush s’mund të çelë: eja e liroje njeriun në pranga, që banon në errësirë e në hijen e vdekjes”.
Më 21 dhjetor: “O Yll që lind, shkëlqim i dritës së amshuar, diell i drejtësisë: eja e shndrit mbi ata, që banojnë në errësirë e në hijen e vdekjes”.
Më 22 dhjetor: “O Mbret i njerëzimit, i pritur nga të gjitha kombet, gur i këndit që i bashkon popujt në një: eja e shëlboje njeriun, që e nxorre prej dheut”.
E së fundi, më 23 dhjetor: “O Emanuel, Hyji me ne, mbreti e ligjvënësi ynë, shpresë e shpëtim i popujve: eja e na shëlbo, o Zot, Hyji ynë!”
“Ero cras”, “Nesër do të jem këtu”. Edhe sikur një zemër e vetme të të presë me fe, Ti eja, o Zot. Për shumë mot Krishtlindjen!







All the contents on this site are copyrighted ©.