2012-12-20 14:26:01

Toka e Shenjtë: ipeshkvijtë katolikë i ftojnë besimtarët të mos heqin dorë nga shtegtimet.


“Pavarësisht nga ngjarjet tragjike të Gazës dhe nga tensionet në gjithë zonën e Lindjes së Mesme, mos kini frikë ta vizitoni Kishën tonë Nënë: udhët, nëpër të cilat përshkohen shtegtarët, janë të sigurta e larg çdo rreziku!”. Është kjo, thirrja e Komisionit Ipeshkvnor për shtegtarët, që vepron në gjirin e Asamblesë së zakonshme të Ipeshkvijve katolikë. Përmes saj, shtegtarët e mbarë botës nxiten të shkojnë në Tokën e Shenjtë e të mos i anullojnë udhëtimet. “Miq shtegtarë, mos e braktisni Tokën e Shenjtë”, lexohet në thirrjen e Patriarkanës latine të Jeruzalemit, rimarrë nga agjencia Sir. Këtu do të mikpriteni nga të gjithë: hebrenj, të krishterë e myslimanë, sepse shtegtari është figurë, që rrezaton paqe e lutje. Ne besojmë se shtegtimet në Tokën e Shenjtë kontribuojnë për paqen e janë shenja solidariteti për banorët e këtyre viseve. Ata kanë nevojë të mos e ndjejnë veten të braktisur. Dy Ministritë e Turizmit, në Izrael e në Palestinë, po bëjnë ç’është e mundur për t’i pritur sa më mirë shtegtarët. Deri më sot në Izrael kanë arritur më se 3 milionë e 300 mijë turistë e shtegtarë, 60% e të cilëve, të krishterë. Në vitin 2011, në Betlehem ishin për vizitë më se një milion shtegtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.