Sot më 20 dhjetor kalendari kujton Shën Liberatin.
Sot më 20 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Liberatin, martir në Romë. Në
“martirologun Jeronimian” festa e shën Liberatit martir shënohet më 20 dhjetor. Kjo
datë mbeti për përkujtimin e martirit edhe në “martirologun Romak”, hartuar në shekullin
XVI nga historiani i madh, kardinali Cesare Baronio. Ndonëse mendohej se kishte ardhur
nga Lindja, në të vërtetë shën Liberati ishte romak. Emri i tij i vërtetë ishte Liberale
(italisht); Liberalis (latinisht), prej nga u përkthye gabimisht në Liberatis apo
Libert, e ashtu edhe mbeti. Reliket e shën Liberatit janë varrosur në Udhën e lashtë
romake Salaria, ku pushojnë në paqe edhe dy martirë të tjerë: Gjoni e Festi. Liberati,
bir i një familjeje fisnike, ishte konsull. Si u kthye në fenë e krishterë, u dashurua
me Krishtin aq, sa hoqi dorë nga karriera, nga politika, nga jeta në rrethet fisnike
dhe nisi të ndjekë rrugën e re të dashurisë vëllazërore e të fesë në Zotin. Ndryshimi
i tij i thellë u ra në sy të gjithëve. E arrestuan dhe e dënuan me vdekje në kohën
e sundimit të Klaudios, që njihet me atributin “Gotiku” (269-270). Një farë Flori
e ngriti trupin e tij mbi një varr monumental, me shpresën se Zoti do t’ia shpërblente
në jetën tjetër nderimin për shenjtërim. Varri u shkatërrua në kohën e pushtimit të
Alarikut në vitin 410 pas Krishtit, por besimtari i përshpirtshëm e ndërtoi përsëri. Kujtojmë
se emri Liberalis në latinisht do të thotë: “I çliruar nga skllavëria”; të krishterët
e përdorën me kuptimin “I çliruar nga robëria e mëkatit, apo nga paganizmi”.