2012-12-20 14:25:22

Krishtlindja me Papën: “Barinjtë, e Bariu”.


Sot, në qendër të emisionit të 14-të, duke vijuar shfletimin e veprës së Benediktit XVI “Fëmijëria e Jezusit ”, janë barinjtë e Bariu. Ç’na kujtojnë barinjtë këto ditë, në sa përgatitemi për të pritur Jezusin në zemrat tona?
“Ishin në atë vend disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. Një engjëll i Zotit iu afrua dhe lumnia e Hyjit i shndriti”. Kështu e përshkruan Natën Shenjte Shën Luka (Lk 2,8). Dëshmitarët e parë të ngjarjes së madhe janë barinjtë, që rrijnë zgjuar gjithë natën. Është reflektuar shumë për kuptimin e faktit, sipas të cilit ishin pikërisht barinjtë ata, që morën të parët lajmin e mirë. Por, shpjegon Papa, besoj se nuk duhet shumë mendjemprehtësi për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Jezusi lindi jashtë qytetit, në një ambient të rrethuar me livadhe, ku barinjtë kullosnin grigjët e tyre. Ishte normale, prandaj që, duke qenë më pranë vendit të ngjarjes, të merrnin të parët ftesën për të ngarendur kah grazhdi në atë orë të vonë, kur qytetarët flinin të qetë.
Por skena, më shumë se afërsinë vendore, të kujton afërsinë shpirtërore. Edhe shpirtërisht, barinjtë ishin shumë më pranë Hyjit, bërë Foshnjë, vendosur mbi grazhdin e një shpelle të shkretë. Ishin pranë, sepse u përkisnin të varfërve, shpirtrave të thjeshtë, njerëzve, të cilët Jezusi do t’i bekonte, sepse atyre, në mënyrë të posaçme, do t’u zbulohej misteri i Hyjit (Cfr Lk 10,21s). Ata përfaqësonin të varfërit e Izraelit, të varfërit në përgjithësi, njerëzit, që Zoti i donte e i do më fort. Njerëz, që i kalonin netët zgjuar, gjithnjë në përgjim.
Prej këndej, një provë të re për shpjegimin e simbolikës së barinjve, e gjejmë edhe tek tradita e manastireve: murgjërit ishin njerëz të pagjumë. Jetonin gjithnjë me lutje. Dëshironin të rrinin zgjuar në këtë botë, prandaj luteshin natën, sepse në heshtjen e natës shpirti i tyre dëgjonte më mirë zërin e Zotit, e syri dallonte qartë shenjat e pranisë së Tij.
Së fundi, arrijmë tek kuptimi i fjalës “Bari”, personifikim i vetë Krishtit, Bariut të Mirë. Mund ta shpjegojmë, na kujton Papa, duke rikrijuar në kujtesë, skenën e zgjedhjes së Davidit mbret. Kur Zoti e pati flakur Saulin, deri asokohe sundimtar, Samueli u dërgua në Betlehem tek Isai, për të lyer me vajin e shugurimit mbretëror një nga bijtë e tij. Asnjëri nga ata, që u paraqitën para Samuelit, nuk ishte i zgjedhuri. Në sa bijtë e Isait i kalonin para, ai dëgjoi zërin e Zotit, që i kujtonte: “Mos shiko fytyrën, as lartësinë e shtatit. Unë nuk i gjykoj njerëzit sipas pamjes, njeriu shikon fëtyrën, Zoti, zemrën”. E në sa asnjëri nga djemtë e pranishëm, nuk ishte i zgjedhuri i Zotit, babai i tyre, Isai, i shpjegoi profetit se mungonte ende më i riu, që po kulloste grigjën. Samueli i kërkoi të shkojë e ta thërresë nga kullotat e, sipas porosisë së Hyjit, mori bririn dhe e shuguroi midis vëllezërve të tij, duke e lyer me vaj (cfr 1 Sam 16,1-13). Kështu Davidi, bari dhensh, i ardhur nga kullotat, bëhet bari i Izraelit. E Zoti i thotë: “Ti do ta kullotësh popullin tim!”( cfr 2 Sam 5,2).
Këto fjalë i lexojmë në Librin II të Samuelit, ndërsa Mikea profet shikon kah një ardhmëri shumë më e largët e kumton se nga Betlehemi do të dalë ai, që do ta kullotë një ditë popullin e zgjedhur (cfr Mi 5,1-3; Mt 2,6).
Jezusi lind ndërmjet barinjve. Ai është Bariu i madh i njerëzve (cfr 1 Pt 2,25; Heb 13,20), që ishin porsi delet e humbura e tani u kthyen te Bariu e Rojtari i shpirtërave njerëzore. E ai e përtëriu jetën e një bote mijëra motesh. Toka pushoi e lypi paqen e re. Njeriu, pa shikuar më mbrapa, ngarkoi mbi shpinë barrën e jetës e u nis, me frymë të këndellur, kah Kullotat qiellore.








All the contents on this site are copyrighted ©.