2012-12-20 15:16:27

Kardinali Sarah: “Në një botë, që ka nevojë për paqe, duhet të luftojmë kundër mjerimit”


“Why Poverty?”, “Pse varfëri?”: kjo është tema e fushatës së Bashkimit Radioteleviziv Evropian, që ka filluar bashkë më Kohën e Ardhjes, në të gjitha vendet e kontinentit, për të sensibilizuar opinionin publik për varfërinë në botë. Është gjendje, që e vuajnë së paku një miliard vetë, por shpesh trajtohet si dytësore. Edhe radioja jonë, së bashku me radiot dhe televizionet e vendeve evropiane, është impenjuar në këtë fushatë me një sërë intervistash, reflektimesh e emisionesh. Sot, ftuam në mikrofonin tonë, kryetarin e Këshillit Papnor “Cor Unum” - dikasteri i Atit të Shenjtë për bamirësinë - kardinalin Robert Sarah. E pyetëm pse ekziston varfëria:
Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, sepse varfëria ka ekzistuar gjithmonë së bashku me njerëzit. Mendoj se ajo shkaktohet nga njerëzit. Vërtet, nëse krijojmë gjendje si lufta, natyrisht, krijojmë edhe varfëri. Nëse ndërtojmë një ambient të padrejtë, e organizojmë ekonominë në mënyrë të tillë që të përfitojnë vetëm të pasurit, krijojmë varfëri. Pra, varfëria është një realitet njerëzor, që do të ekzistojë gjithmonë, por që nuk duhet parë vetëm negativisht. Më duket se varfëria ka edhe aspekte pozitive, sepse na mëson si të jetojmë thjeshtë, pa pretendime, pa e mbushur jetën me gjëra të panevojshme. Nga përvoja ime, shumë vende të varfëra kanë më shumë besim në jetën, më shumë gëzim e hare se sa popujt, që kanë gjithçka. Prandaj, mendoj se në vend të varfërisë, duhet luftuar mjerimi, pra gjendja e mungesës së gjithçkaje: e mungesës së shtëpisë, së ushqimit, të shëndetit. Duhet ta kemi minimumin për të jetuar denjësisht, si qenie njerëzore të ngjashme me Krijuesin. Vetë Jezusi ka thënë: “Lum të varfërit…”. Në Ungjillin e Lukës, Jezusi thotë edhe: “Jam vojuar për t’u sjellë Lajmin e Mirë të varfërve”, ndërsa Shën Pali thekson se “Krishti u bë i varfër për të na pasuruar me varfërinë e Tij”. Në Enciklikën “Gaudium et Spes” shkruhet “shpirti i varfërisë është lavdi dhe shenjë e Kishës së Krishtit”. Edhe ne rregulltarët bëjmë kushtin e varfërisë, prandaj të mos e zhveshim varfërinë nga manteli i saj fetar e njerëzor, pasi ajo është edhe realitet pozitiv. Mendoj se parrulla si “Të çrrënjosim varfërinë”, apo “Ta zhdukim varfërinë” janë fyerje për të varfërit, sepse Jezu Krishti na ka thënë: “Të varfërit do t’i keni me vete gjithmonë”. Por, duhet të punojmë të mos ekzistojë më mjerimi.
Hirësi, si i përgjigjet Kisha dramës së varfërisë e të mjerimit?
Sipas përvojës sime, misionarët kanë luftuar gjithnjë për t’i dhënë dinjitet njeriut, për t’i siguruar ushqimin e shëndetin, përmes shkollave e mensave, duke i mësuar popujt të prodhojnë më mirë. Kisha e bën këtë kudo: ngre shkolla, spitale, favorizon bujqësinë, edukon e arsimon. Formë varfërie është edhe të mos kesh shkollë, të mos kesh mundësi të edukosh shpirtin, pra t’i mësosh atij si të reflektojë, si t’i shohë gjërat në mënyrë që të kontribuojë në përparimin e njeriut, në mirëqënien e tij të përgjithshme, jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore.
Si kryetar i “Cor Unum” keni dërguar ndihmat e Papës për të dëmtuarit nga tërmeti në Haiti, për japonezët pas tsunamit e kohët e fundit, edhe në Liban, ku ndodhen shumë refugjatë sirianë. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga këto takime?
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është të shoh se çfarë presin njerëzit e të kuptoj se nuk duan vetëm ndihma materiale. Kur isha në Liban, një grua, që nuk pyeti për ngjyrën time të lëkurës e as që u interesua për origjinën time afrikane, pa tek unë vetëm njeriun e Zotit e më tha: “Na, merre fëmijën tim. Është vetëm katër muajsh, shpëtoje!” Kjo grua myslimane, krejtësisht e mbuluar, erdhi tek unë të derdhë lotë e të kërkojë ndihmë, sepse ishte prekur nga mënyra me të cilën u trajtua, me respekt e dashuri… Dy muaj pasi u ktheva nga Japonia, mbërriti letra e një zonje budiste, që më shkruante: “Kur ndodhi tsunami, me kaq shumë viktima e dëme materiale, desha ta vras veten. Por, pasi ju dëgjova, pasi pashë se hodhët lule në ujë për shpirtrat e të vdekurve, pasi ju dëgjova të luteshit për familjet që vuajnë, hoqa dorë nga kjo ide”. Puna e “Kor Unum” nuk është vetëm shpërndarja e ndihmave materiale, por edhe ngushëllimi, ndihma shpirtërore. Për mua, do të thotë t’i kthesh dinjitetin një gruaje, ta trajtosh si njeri, që Zoti e do, e ta bësh të vetëdijshme për këtë. Për mua, kjo vlen më shumë se të japësh miliona… Kur shoh varfërinë, mjerimin, kushtet e jetesës, kjo më ndihmon edhe të lutem më mirë për botën, e cila ka nevojë për paqe. Jemi ne, që krijojmë mjerim, me luftë, me shitjen e armëve, me këtë strukturë ekonomike botërore, që nuk favorizon zhvillimin e popujve. Prandaj, ne bëjmë punën tonë, por edhe lutemi, që bota ta pranojë urtinë e Zotit, për t’u bërë më e mirë. Ai, që sjell një botë më të mirë, është Jezu Krishti, të cilin po e presim të lindë, jo në Betlehem, por në zemrat tona, në familje, në institucionet politike dhe ekonomike. Ai mund të ndryshojë gjithçka…







All the contents on this site are copyrighted ©.