2012-12-19 17:03:48

Papa në audiencën e përgjithshme: përvujtëria e Krishtit Fëmijë dhe e Marisë fitojnë mbi të gjitha pushtetet e botës.


E vërteta e Krishtlindjes është: “Pushteti i pambrojtur i një Ferishteje, fiton mbi zhurmën e pushteteve të botës”. Me këto fjalë Benedikti XVI e përfundoi sot paradite, audiencën e 43-të e të fundit të përgjithshme të vitit 2012, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Katekizmin ia kushtoi reflektimit për fenë e Marisë gjatë gjithë jetës së saj.
Ungjilli nis me një përshëndetje: “Gëzohu, o Hirplote!”. Përshëndetja fton të gëzohesh! Do të mjaftonte kjo, për të përshkruar gëzimin, që buron nga feja e krishterë. Benedikti XVI e hapi meditimin e tij kushtuar fesë së Marisë, duke u rikthyer në Nazaret, në atë ditë kur fjalët e një Engjëlli kumtuan se historia njerëzore ishte në pritje të ndryshimit, të kohës së re:
“Përshëndetja e Engjëllit Marisë, është ftesë për gëzim, për gëzim të thellë; kumton, kështu, përfundimin e trishtimit në botë, përballë grahmave, vuajtjes, vdekjes, ligësisë, errësirës të së keqes, që duket sikur e nxin dritën e mirësisë hyjnore. Është përshëndetja me të cilën nis Ungjilli, Lajmi i Mirë”.
Përgjigjja, që i jep Maria lajmëtarit qiellor, dihet: bindje, nënshtrim krejtësisht i lirë ndaj Fjalës së kumtuar. Gëzimi, që kujton Engjëlli, pohon Papa, buron nga hiri, nga lidhja jetike me Hyjin. Megjithatë, shton Ati i Shenjtë:
“Hapja e shpirtit Hyjit dhe veprimit të tij në fe, përfshin edhe elementin e errësirës. Por pikërisht njeriu që, si Maria, ia hap shpirt e zemër Zotit, arrin ta pranojë vullnetin hyjnor, edhe kur është misterioz, edhe kur nuk përkon me vullnetin tonë. Ashtu si Maria, Feja e së cilës jeton gëzimin e Lajmërimit, por kalon edhe përmes errësirës së kryqëzimit të Birit, për të arritur, më në fund, në dritën e Ringjalljes”.
Benedikti XVI kujtoi paralelizmin ndërmjet ngjarjes, që jetoi Maria, e asaj, që jetoi Abrahami. Edhe Patriarku i besoi plotësisht, pa asnjë lëkundje, Engjëllit të Zotit, që i kërkoi të flijonte të birin, Isakun. E kjo, vërejti Benedikti XVI, u jep të krishterëve një mësim të çmuar: u tregon ç’do të thotë të besosh, edhe atëherë kur Hyji nuk duket, kur mungon në jetën e njeriut:
Por sa më shumë t’ia hapim shpirtin Zotit, sa më shumë ta pranojmë dhuratën e fesë, sa më shumë ta mbështesim gjithë besimin në Të - ashtu si Abrahami e si Maria - aq më shumë Ai, me praninë e tij, na bën të aftë ta jetojmë çdo situatë të jetës në paqe, plotësisht të sigurtë për besnikërinë e dashurinë e Tij. E kjo do të thotë të dalësh nga vetja e nga planet tua, për të hyrë në planet e Zotit, fjala e të cilit duhet të jetë dritë për mendimet e veprimet tona”.
Benedikti XVI u ndalua, më pas, tek episodi ungjillor, në të cilin tregohet sesi Maria e Jozefi e gjetën Jezusin dymbëdhjetë vjeçar në Tempull. Pikërisht në këtë çast Maria, me fe të gjallë, pranon se Ati i vërtetë i Jezusit zë vendin e parë, mbi gjithçka. Jemi përballë një çasti të dhimbshëm ndarjeje, që do të prekte kulmin mbi Kalvar. Por, pavarësisht, feja e Virgjërës mbetet e patundur. Pse? - pyet Papa. Përgjigjen e gjejmë në vetë fjalët e Marisë, menjëherë pas kumtimit qiellor:
“Në çastin e lajmërimit, Ajo turbullohet duke dëgjuar fjalët e Engjëllit. Është ndrojtja, që provohet nga prekja prej afërsisë së Zotit, e jo sjellja e njeriut, që ka frikë përballë kërkesës së Tij. Maria nuk shtanget para ngjarjes, me ndikim të jashtëzakonshëm mbi jetën e saj. Ajo di të shikojë në thellësi, t’i shqyrtojë mirë ngjarjet, t’i bluajë, t’i dallojë, duke fituar, kështu, kuptimin, që mund ta japë vetëm feja. Është përvujtëri e thellë, nënshtrimi i Marisë. Ajo e mirëpret në vetvete edhe atë veprim të Zotit, të cilin nuk e kupton, duke e lënë Hyjin t’ia hapë mendje e zemër”.
Pikërisht këtë përvujtëri e këtë bindje në fe, u uroi Benedikti XVI të gjithë besimtarëve për Krishtlindje:
Lavdia e Hyjit nuk shfaqet në triumfin e në pushtetin e një mbreti, nuk shkëlqen në një qytet të famshëm, në një pallat plot salltanet, por nis e banon në kraharorin e një virgjëre, dëftohet në varfërinë e një fëmije. Gjithëpushteti i Hyjit, edhe në jetën tonë, vepron me forcën, shpesh krejt të heshtur, të vërtetësisë e të dashurisë. Atëherë feja na thotë se pushteti i pambrojtur i këtij Fëmije, në fund të fundit, fiton mbi poterën e pushteteve të botës”.Në përfundim të katekizmit në gjuhë të tjera, Benedikti XVI përshëndeti grupin e meshtarëve të rinj Legjionarë të Krishtit, të pranishëm në Sallën e Palit VI si dhe gajdexhinjtë molisanë të Matezes, ardhur nga Boiano, të shoqëruar nga kryeipeshkvi i Kampobasos, Xhankarlo Bregantini. Me tingujt e gajdeve të tyre, gajdexhinjtë krijuan në sallë, si zakonisht në këtë kohë festive, atmosferën e traditave të lashta të Krishtlindjes, që shijohet aq shumë përmes këngëve, ardhur nga kohë që nuk mbahen mend.







All the contents on this site are copyrighted ©.