2012-12-19 15:14:36

Krishtlindja me Papën: “Simbolika e kafshëve dhe kuptimi i fjalës ‘i Parëlinduri”.


Krishtlindja, për të cilën sivjet po na përgatit vetë Papa, përmes librit të ri kushtuar ‘Fëmijërisë së Jezusit’, që po e shfletojmë në këtë Kohë të Ardhjes, afrohet. Mbërrijmë te grazhdi i Betlehemit. E grazhdi na kujton menjëherë kafshët, sepse aty strehohen e aty ushqehen. Në Ungjijtë nuk bëhet fare fjalë për praninë e kafshëve, kaut e gomarit. Por meditimi, i udhëhequr nga feja, përmes leximit të Besëlidhjes së Vjetër e të Re, lidhur ngushtë ndërmjet tyre, e mbushi menjëherë këtë boshllëk, duke kujtuar Izainë Profet, i cili shkruan: “Kau e njeh të zotin, e gomari, grazhdin e zotërisë së vet. Kurse Izraeli nuk e njeh. Populli im nuk merr vesh” (Iz 1,3).
Peter Stuhlmacher, kujton Benedikti XVI, vëren se ka shumë mundësi që edhe varianti grek i Abakukut (3,2), duhet të ketë ndikuar për dukjen e kafshëve. Shkruan Profeti: “Ti do të dukesh në mes të dy qenieve të gjalla; kur të vijë koha. Ti do të dukesh” (Cfr Die Geburt des Immanuel, fq 52). Me dy qeniet e gjalla nënkuptohen, natyrisht, dy kerubinët që, të vendosur mbi arkën e besëlidhjes, e tregojnë dhe e fshehin njëherësh, praninë misterioze të Zotit. Kështu, në një farë mënyre, grazhdi bëhet arka e besëlidhjes, në të cilën Hyji, i ruajtur misteriozisht, është në mes të njerëzve, e para së cilës, për ‘kaun’ e ‘gomarin’, për njerëzimin e përbërë nga judenjtë e paganët, ka trokitur ora e njohjes së Zotit.
Përmes lidhjes së veçantë ndërmjet Izaisë (1,3), Abakukut (3,2) Librit të Daljes (25,18-20) dhe grazhdit, duken edhe dy kafshët. Janë simbol i njerëzimit, që nuk ishte në gjendje të kuptonte e që, para Foshnjës, përballë dukjes së përvuajtur të Zotit në stallë, kupton e, në varfërinë e kësaj lindjeje, jeton mrekullinë e dëftimit. E i hapen sytë. Ikonografia e krishterë e bëri menjëherë të vetin këtë motiv. E që kur nisi të pikturohej Shpella e Betlehemit, aty nuk munguan kurrë kau e gomari.
Pas këtij largimi të vogël, Benedikti XVI na kthen përsëri tek teksti i Ungjillit, ku lexojmë: “Maria nxori në dritë djalin e vet, të parëlindurin”(Lk 2,7). Po ç’kuptim ka fjala ‘i parëlindur’? Na e sqaron menjëherë Papa, që shpjegon: “Nuk është e thënë që i parëlinduri t’u prijë një sërë fëmijëve të tjerë. Fjala nuk ka të bëjë me numrin e fëmijëve, por me cilësinë teologjike, shprehur në përmbledhjet më të lashta të ligjeve të Izraelit. Në përshkrimin e Pashkëve, gjindet fraza: “Zoti i tha Moisiut: ma kushto çdo të parëlindur, frytin e parë të kraharorit të nënës të bijve të Izarelit, si të njerëzve, ashtu të kafshëve: më përkasin!”(Dal 13.15). “Çdo të parëlindur të bijve të tu, shpërbleje!”(Dal. 13,13). Kështu fjala ‘i parëlindur’ i paraprin rrëfimit të mëtejshëm, mbi paraqitjen e Jezusit në Tempull, duke nënkuptuar me këtë fjalë, se Foshnja i përket Hyjit.
Fjalën e shpjegon, në dy etapa, edhe Shën Pali. Në Letrën drejtuar Romakëve, e quan Jezusin“i parëlinduri ndër shumë vëllezër”(8,29). Krishti i Ngjallur është, në mënyrë të re ‘i parëlindur’ e, njëkohësisht, fillesë e një morie vëllezërish. Duke lindur rishtas me Ngjalljen, Jezusi nuk është më i parë vetëm sipas dinjitetit të Tij. Tani është Ai, që përuron njerëzimin e ri. Pasi shembi portën e hekurt të vdekjes, janë të shumtë njerëzit, që do të mund të kalojnë nga vdekja, në jetë, së bashku me Jezusin. Të gjithë ata që, në pagëzim, vdesin e ngjallen me Të.
Në Letrën drejtuar Kolosianëve, ky mendim zgjerohet më tej: Jezusi quhet i parëlindur i mbarë krijimit (1,15). Të gjitha sendet u krijuan përmes Tij (1,16). Ai është zanafilla (1,18). Koncepti ‘i parëlindur’ fiton një përmasë kozmike. Mund të themi, prandaj, se Jezusi, Biri i mishëruar, është ideja e parë e Hyjit, që i paraprin çdo krijimi. Luka nuk na e shpjegon këtë fjalë, që sqaron qiell e tokë bashkë, duke ia mbyllur përgjithnjë derën frymës së ligë, por për lexuesit e mëpasëm të Ungjillit të tij, për ne, mbi grazhdin e varfër të Betlehemit, shkëlqen tashmë ky vezullim kozmik: këtu hyri ndërmjet nesh i Parëlinduri i vërtetë!







All the contents on this site are copyrighted ©.