2012-12-19 17:04:09

Feja ka çaste drite, por edhe errësire. Lëre Fjalën e Zotit të të prijë!


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, në rrjet u dukën dy tweet-e të tjera të Benediktit XVI. Në të parin, Papa pohon se feja e secilit ka çaste drite, por edhe errësire. Në se dëshiron të ecësh gjithnjë në dritë, fton, lëre Fjalën e Zotit të të prijë!
Në tweet-in e dytë të sotëm, Benedikti XVI nënvizon: “Maria e jeton gjithë gëzim lajmin se do të bëhet Nënë e Jezusit, Birit të mishëruar të Hyjit. Gëzimi i vërtetë, është komenti i Atit të Shenjtë, vjen në bashkim me Hyjin”.
Ky është tweet-i i gjashtë i Papës, që nga e mërkura e kaluar. Në 8 gjuhët e faqes së internetit me emrin “@pontifex” Benedikti XVI deri tani ka tërhequr më se 2 milionë e 70 mijë follower, domethënë, njerëz që e ndjekin këtë mënyrë krejt të re, tejet moderne, komunikimi të Atit të Shenjtë. Në gjuhën angleze, ndjekësit e kalojnë numrin 1 milion e 200 mijë; në gjuhën spanjolle, janë 465 mijë; në italisht, 200 mijë. Besojmë se nuk mungojnë edhe shumë follower shqiptarë, që e ndjekin Papën në njërën nga 8 gjuhët, në kushtet e reja, kur gjuhët e huaja janë bërë pronë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, në lidhje të ngushtë me mbarë botën. Por ndonjë cicërimë, si kjo e sotmja, mund ta ndjekin edhe shqip, në faqen tonë të internetit.Duke folur në mikrofonin e Radios së Papës, Kiara Amirante, themeluese e Bashkësisë ‘Horizonte të Reja’, i ftoi katolikët ta shoqërojnë Benediktin XVI gjatë misionit të tij në kontinentin dixhital. Ne, të krishterët, pohoi, kemi shumë mungesa të paarsyeshme në network, ndërsa profetët e mashtrimit janë jashtëzakonisht të pranishëm, madje edhe agresivë. Prandaj, përfundon Kiara Amirante, duhet të na dëgjohet zëri e ta kumtojmë me gjithë zemër Lajmin e Mirë, edhe në web.







All the contents on this site are copyrighted ©.