Sekretari Shtetit të Vatikanit viziton spitalin ‘Bambin Gesù’: të mbrohet fëmijëria,
kurrë më masakër si ajo në Newtown
Fëmijët kanë nevojë për gëzim e siguri: këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit,
kardinali Bertone, gjatë vizitës së sotme në Spitalin pediatrik ‘Bambino Gesù’ (Jezusi
Fëmijë) të Romës, me rastin e urimeve të Krishtlindjes. Kardinali Bertone solli urimet
dhe bekimin e Papës që, tha ai, “ndjek me vëmendje” veprimtarinë e këtij spitali të
Selisë së Shenjtë. Gjatë fjalës së tij, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi masakrën
e shkollës së Newtown në Connecticut, dhe kërkoi nga ana e autoriteteve “masa efikase
për mbrojtjen e fëmijëve”. “Fëmijët, tha akoma kardinali – “kanë nevojë të shijojnë
gëzimin e sigurinë, duke u nisur nga mjedisi familjar”. “Fëmijët kanë nevojë të gjejnë
përgjigjen e shumë pikëpyetjeve të tyre”. E shtoi: ekziston “një dije e një kuptim
që përjetohet përmes takimit tonë me vuajtjen, e kjo është mësim jete që ne të rriturit
duhet të dimë t’u transmetojmë fëmijëve e të rinjve”. Kardinali Bertone falënderoi
të gjithë për “veprimtarinë e tyre të zellshme profesionale” dhe uroi të “dimë të
kapërcejnë çdo egoizëm, që gjendet në njeriun e vjetër brenda nesh, e të jetojmë në
të vërtetën e kohës së re të përuruar me lindjen e Shëlbuesit”, Jezu Krishtit.