2012-12-18 13:12:05

Krishtlindja me Papën: “Lindja e Jezusit: Fashat e grazhdi”


Emisionin e 12-të të rubrikës sonë “Krishtlindja me Papën” e nisim me fjalët e Shën Lukës: “Tashti, ndërsa ata ishin në Betlehem, Marisë i erdhi koha të lindë. Nxori në dritë djalin e vet të Parëlindur, e mbështolli me fasha dhe e vuri në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta”. Në librin e tij “Fëmijëria e Jezusit” Papa Ratcinger e nis komentin nga fjalët e fundit të këtij fragmenti: Për ta nuk pati vend”.
Meditimi në fe i këtyre fjalëve, shikon në këtë pohim një paralelizëm shpirtëror me fjalët e Prologut të Ungjillit të Shën Gjonit, sa të pasur në përmbajtje, aq të thellë në kuptim: “E drita shndriti ndër terrina; e terrinat nuk e pranuan” (Gjn. 1,11).
Për Shëlbuesin e botës, për Atë, nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet, ato në qiell e ato mbi tokë; ato që shihen e ato që nuk shihen, tronet, zotëruesit, principatat, pushtetet, të gjitha të krijuara nëpërmjet Tij e në pritje të Tij, nuk u gjet vend” (Kol.1,16).
Dhelprat i kanë strofkat e veta, e zogjtë e ajrit, çerdhet e veta. Po Biri i njeriut nuk gjeti vend ku të mbështesë kokën(Mt.8,20).
Ai, që u kryqëzua përjashta portave të qytetit, na kujton Benedikti XVI, edhe për të lindur lindi jashtë portës së qytetit.
E kjo duhet të na bëjë të mendohemi, duhet të na shtyjë të shikojmë në Jezusin e në lajmin, që i sjell botës, përmbysjen e vlerave, ashtu si i vlerëson bota. Që në çastin e lindjes, Ai nuk i përket mjedisit që, sipas botës, është i rëndësishëm e i pushtetshëm. E megjithatë, pikërisht ky njeri i pa kurrfarë peshe e pushteti, dëftohet si i gjithëpushtetshëm. Si Ai, nga i cili varet gjithkush e gjithçka. Prej këndej, i krishteri, që dëshiron të jetë besimtar i vërtetë, duhet të dalë nga ai mjedis, që e ëndërron dhe e dëshiron shumëkush, të dalë nga mendësia sunduese, për të hyrë në dritën e së vërtetës e, i shndritur prej kësaj drite, të gjejë rrugën e drejtë.
Maria e mbështolli ferishten në fasha. Pa kurrfarë sentimentalizmi mund ta përfytyrojmë dashurinë e pafundme, me të cilën Nëna-Virgjër e priti orën e saj, dëshirën me të cilën e përgatiti lindjen e të Birit. Tradita e ikonave, mbi bazën e teologjisë së Etërve të Kishës, i shpjegon edhe teologjikisht grazhdin e fashat. Foshnja, e lidhur fort me fasha, duket si një, që shkon para kohe drejt orës së vdekjes. Ai që në zanafillë është ‘i Flijuari’, siç do ta shikojmë më hollësisht, përmes reflektimit të fjalës, që thuhet për këtë Bir të Vetëm. Jezusi lindi në një stallë, vend pak e aspak i rehatshëm; madje do të thoshim, krejt i padenjë për ngjarjen e shenjtë, që po ndodhte në zonën rreth Betlehemit, ku shpellat vijojnë të përdoren si stalla”(cfr Stuhlmacher, Die Geburt des Immanuel, fq. 51).
Që në shkrimet e Justinit martir (rreth vitit 165 pas Krishtit) e të Origjenit (në vitin 54 pas Krishtit), gjejmë traditën, sipas së cilës, vendi ku lindi Jezusi ishte një shpellë, që të krishterët e Palestinës e njihnin mirë.
Fakti që Roma, pas dëbimit të judenjve nga Toka Shenjte, në shekullin II, e shndërroi shpellën në vend kulti për perëndinë Tammuz-Adonis, tregon qartë se synonte ta shlyente kujtimin e kultit të krishterë. Shpesh herë traditat vendase janë burim shumë më i besueshëm se njoftimet e shkruara. Kështu Grazhdi përfytyrohet si një lloj elteri. Agostini e shpjegoi simbolikën e grazhdit me një mendim që, në çastin e parë, duket i pavend, por si ta kesh shqyrtuar më me vëmendje, shikon se përmban një të vërtetë të thellë.
Grazhdi është vendi në të cilin kafshët gjejnë ushqim. Por tani mbi grazhd prehet Ai, që e paraqiti vetveten si bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, si ushqim i vërtetë, për të cilin njeriu ka nevojë, për të qenë njëmend njeri. Është shujta, që i jep njeriut jetën e vërtetë, atë të amshuarën. Në këtë mënyrë grazhdi bëhet simbol i sofrës së Hyjit, ku njeriu grishet për të marrë bukën e Zotit. Në varfërinë e lindjes së Jezusit skicohet realiteti i madh, në të cilin vihet në jetë misteriozisht, shëlbimi i njerëzve.
Prej këndej, mund t’i besojmë traditës betlemite, me të cilën lidhet edhe Bazilika e Lindjes së Jezusit, ndërtesë madhështore, që lartohet pikërisht mbi vendin, ku ishte shpella-stallë, e cila këto ditë pret e përcjell shtegtarë nga mbarë bota.







All the contents on this site are copyrighted ©.