2012-12-18 17:04:22

Dioqeza e Sapës: shugurimi diakonal i don Artur Kola


Shugurimi diakonal i seminaristit të dioqezës së Sapës, don Artun Kola, nga fshati Mapa afër Lezhës, nga ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustini në Katedralen e Lumja Nënë Terezë në Vau-Dejës më 15 dhjetorin e kaluar.
Më hollësisht shërbimi i Violeta Marashit nga Vau-Dejës........ RealAudioMP3 Zoti ka thirrur secilin prej nesh që të bashkëpunojë me Të në përhapjen e lajmit të gëzueshëm. Por, disa nga të gjithë ne, i ka dërguar në emrin e vet për ta shpallur këtë lajm. Kështu, edhe seminaristi Artur Kola është një ri i thirrur prej Zotit nëpërmjet Kishës së tij. Pas studimeve hap pas hapi siç e parasheh rregulli i studimeve për të arritur në Meshtari, Artur Kola mori Urdhrin e Shenjtë të Diakonatit, të shërbëtorit.
Për ta falënderuar Zotin për këtë dhuratë që i bëri Dioqezës së Sapës, kishës dhe popullit të saj, ceremonia e shugurimit u mbajt me 15.12.2012 në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës në prani të bashkësisë famullitare, meshtarëve e motrave, familjarë dhe miqve të Arturit. Mesha e shenjtë u kryesua nga Ipeshkvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me rreth 40 meshtarë të tjerë. Pas shpalljes së Ungjillit, Rektori i Seminarit Atë Ingnacio Buffa, paraqiti kandidatin për shugurim para Ipeshkvit dhe besimtarëve të pranishëm. Ndërsa gjatë fjalës së rastit vetë Ipeshkvi theksoi se në realizimin e planit të shëlbimit, Hyji ka kërkuar bashkëpunimin e njeriut. Shkrimi i Shenjt e tregon historinë e shëlbimit si një histori thirrjesh, ku gërshetohet nisma e Zotit dhe përgjigja e njeriut. Duke vazhduar më tej, Imzot Lucjani e porositi Arturin që të ketë parasysh se duke ushtruar shërbesën e doktrinës së shenjtë, je pjesëmarrës në misionin e Krishtit, të vetmit mësues. Përhape tek të gjithë të vërtetën se Krishti është Zot, që të besojnë e të shëlbohen. Komunikoja miqësinë me Krishtin të tjerëve, posaçërisht të rinjve, që t’iu kushtohen Krishtit në përhapjen e Ungjillit.
Me të mbaruar homelia, ipeshkvi kërkoi prej kandidatit gatishmërinë për të ushtruar shërbesën e diakonatit dhe për të jetuar një jetë në bindje dhe celibat, sipas dëshirës së Krishtit dhe Kishës së Tij. Vetë kandidati me pëlqimin e tij, iu përgjigj Zotit duke thënë “Ja ku jam o Zot!”
Më pas vazhduan ritet e pranimit të Urdhrit Diakonal, duke bërë që Arturi të ushtrojë shërbesën e diakonatit me përvujtëri dhe dashuri në ndihmë e shërbim të Urdhrit Meshtarak dhe në shërbim të popullit të krishterë. Me shenjat e shërbesës së tij, të cilat ishin petkat, ‘stola’ që është gjithnjë shenjë e Urdhrit të Shenjtë dhe ‘dalmatiku’, tani e tutje Arturi u pranua në kolegjin diakonal dhe do të vazhdojë me shërbimin në elter deri në shugurimin Meshtarak, duke u bashkuar kështu me familjen e madhe të Zotit, për t’i shërbyer Zotit dhe Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.