2012-12-17 16:06:27

Papa takohet me Mahmoud Abbas: njohja e Palestinës nga OKB-ja, të inkurajojë paqen.


Sot paradite Benedikti XVI priti në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Mahmoud Abbas, president i Autoritetit Palestinez. Më pas presidenti u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone, në praninë e imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, u fol kryesisht për rezolutën e kohëve të fundit, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh Palestinën si Shtet vëzhgues jo anëtar në Organizatën e lartpërmendur. U urua që kjo nismë të inkurajojë impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë e të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez, që mund të arrihet vetëm duke rifilluar, me mirëbesim, bisedimet ndërmjet palëve e duke i respektuar të drejtat e të gjithëve.
U fol, më pas, edhe për situatën në Rajon, trazuar nga një mori konfliktesh, duke uruar të merret guximi për të ecur në rrugën e pajtimit e të paqes. Nuk mungoi, në fund, kujtimi i kontributit, që japin bashkësitë e krishtera për të mirën e përbashkët, në shoqërinë e Territoreve Palestineze si dhe në të gjithë Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.