2012-12-17 16:13:04

Papa bekon shtatoret e Krishtit Fëmijë për Shpellat e Betlehemit, rrethuar nga një mori fëmijësh në festë.


Në çastin e përshëndetjeve, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi posaçërisht fëmijët, mbledhur me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit për bekimin tradicional të Shtatoreve të Krishtit Fëmijë të cilat, natën e Solemnitetit, do t’i vendosin mbi kashtën e grazhdeve, në shtëpitë e tyre.
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, të vegjëlit e Qendrës së Oratoreve Romake dhe prindërit e tyre morën pjesë në Meshën, kremtuar në bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri.
“Zoti na dërgon vazhdimisht njerëz, që na kujtojnë se për t’u takuar me Jezusin, duhet t’i ndërrojmë zemrat. Në kohët tona dërgoi një Grua që, si kometë, na tregoi udhën kah Betlehemi, Nënë Terezën. Kështu kardinali Komastri u shpjegoi fëmijëve e prindërve të tyre, të pranishëm në kremtimin eukaristik, se udhën drejt Shpellës së Betlehemit nuk e bëjmë vetëm, por kemi gjithnjë përkrah dikënd, që lëshon dritë mbi hapat tona, në natën e errët:
“Ndërsa Nënë Tereza vdiste, në Kalkutë shpërtheu një stuhi e tmerrshme e në zonën, ku ishte Nënë Tereza, u shuan përnjëherësh të gjitha dritat. Kështu, Gruaja, që i kishte dhuruar aq shumë dritë mbarë botës, vdiq në errësirë. E rregulltarja, e cila e mbante në krahë, motër Gertrude, tha: ‘Ndoshta edhe kjo është një shenjë e Jezusit, që deshi të na thoshte: me vdekjen e Nënë Terezës po shuhet një dritë në këtë botë’. Tani ju takon juve ta ndizni përsëri. E uroj që secili të jetë dritë, që tregon rrugën e Betlehemit”.
Më pas kardinali Komastri kujtoi disa nga çastet më të rëndësishme të jetës së Nënë Terezës, të premtimit që i pati bërë Zotit për ta shkrirë gjithë jetën duke mbjellur farëza dashurie, për dritën e pashoqe, që dilte nga sytë e saj, të cilët një ditë e prekën një fotograf aq thellë, sa ta pyeste për të fshehtën e atyre syve e të asaj drite:
“Nënë Tereza iu përgjigj: sekreti është shumë i thjeshtë. Sytë e mi janë të lum, sepse duart e mia terin shumë lot. Egoizmi të bën të mjerë, ju siguroj, informohuni mirë. Ju nuk do të gjeni kurrë një egoist të lum”.Kardinali i ftoi të pranishmit të ndjekin shembullin e Nënë Terezës e të bëhen yje, kometa të vogla që, me dritën e dashurisë së krishterë, t’u tregojnë të gjithëve rrugën, që çon tek Jezusi.







All the contents on this site are copyrighted ©.