Mesha e Benediktit XVI në famullinë e Shën Patrikut: të praktikohet drejtësia, në
përgatitje të takimit me Dashurinë.
Duhet ndryshuar mënyra e të jetuarit, të praktikohet solidariteti e drejtësia, që
të përgatitemi për ta mirëpritur dashurinë e Hyjit: është kjo, ftesa që bëri dje Benedikti
XVI gjatë Meshës të së Dielës III të Kohës së Ardhjes, kryesuar në famullinë romake
të Shën Patrikut. Është një famulli në rrethinat lindore të Romës, që vuan nga
mungesa e strukturave dhe e shërbimeve shoqërore të zonës e që është bërë qendër e
vërtetë grumbullimi shoqëror e shpirtëror. Jeni Kishë e gjallë, pohoi Papa, i cili
ishte veshur me kazulën e kuqe të së Dielës, që përshkohet nga thirrja“Gëzohuni”,
me të cilën liturgjia i fton besimtarët për gëzim, duke u kujtuar se nuk duhet të
jetojnë një fe intimiste, por ta përhapin konkretisht lumturinë e dhuruar nga Zoti: “Kush
i pranon dhuratat e Zotit si egoist, nuk mund ta gjejë gëzimin e vërtetë; ndërsa kush
i shfrytëzon këto dhurata si rast për ta dashur me mirënjohje të sinqertë e për t’u
komunikuar edhe të tjerëve dashurinë e Tij, ky e ka me të vërtetë zemrën përplot me
gëzim”. Kështu u shpreh Benedikti XVI e, në vijim, u kujtoi besimtarëve
se vetëm mëkati na largon nga Zoti: “Por, edhe kur largohemi, Ai vijon të
na dojë e të jetë pranë nesh me mëshirë e gatishmëri, për të na falur e për të
na e dhuruar përsëri dashurinë e Tij”.