2012-12-17 14:24:07

Faqja e Papës në Twitter i kapërcen 2 milion ndjekësit. Intervistë me imzot Çelin


Pesë ditë pas tweet-it të parë të Benediktit XVI, faqja e tij , në tetë gjuhë, i ka kapërcyer dy milion ndjekësit. Kujtojmë se adresa e Papës është “@pontifex”. I kërkuam një koment kryetarit të Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli:
Unë mendoj se Papa deshi të hyjë në këtë ambient komunikativ, që në thelb, është ambienti, ku jeton njeriu i sotëm. Teknologjitë e reja kanë sjellë një kulturë të re: nuk janë më vetëm mjete të komunikimit, por janë kthyer në vend, në ambientin, ku jeton njeriu. Dëshira e Atit të Shenjtë është të jetë i pranishëm aty ku banojnë njerëzit e t’u qëndrojë pranë me fjalët e së vërtetës, duke iu përshtatur gjuhës së komunikimit të Twitter-it: një frazë me 140 shkronja. Problemi nuk është aq numri i shkronjave, por përmbajtja e fjalëve. Kufizimi më i madh i kulturës sonë të sotme është se themi shumë fjalë pa ndonjë peshë. Mendoj se të gjithë duhet ta edukojmë vetveten, në mënyrë që fjalët tona të kenë domethënie të thellë për tjetrin. Në Twitter janë regjistruar deri më sot rreth 140 milion vetë. 40% e tyre janë të moshës nga 18 deri në 34 vjeç. Dëshira e Papës është të jetë bashkë me ta, aty ku këta njerëz flasin, komunikojnë, jo vetëm informacione, por edhe vetveten.
Twitter-i mund të ndiqet në të katër anët e botës?
Kisha i ndjen kufizimet e teknologjisë. Ka vende të botës ku disa teknologji as që kanë arritur. Të mendojmë për Afrikën, për shembull. Kur flasim për rrjete shoqërore në internet, vemë re se Afrika nuk mbulohet. Mungojnë shumë gjëra, mungon elektriciteti, investuesit… E njëjta gjë mund të thuhet për disa pjesë të Amerikës Latine, ose të Azisë.
Cilat janë sfidat e Kishës në dritën e shpejtësisë së jashtëzakonshme, që ka marrë lajmi, përmes internetit?
Jemi të bombarduar me mesazhe e informacione, prandaj, ka rrezik të mos dimë më si t’i vlerësojmë lajmet, si t’i peshojmë, pasi arrijnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme, siç thatë ju. Mund të humbasim orientimin. E kemi të vështirë të dallojmë ndër kaq shumë informacione, Lajmin e Mirë të Ungjillit, i cili është përgjigjja e vërtetë për problemet e jetës e të zemrës. Kjo është sfidë e Kisha duhet t’i ndihmojë njerëzit të rizbulojnë kuptimin e disa gjërave, pikërisht në këtë kontekst komunikativ.







All the contents on this site are copyrighted ©.