2012-12-15 12:51:54

Shenjtorët e Javës


E diel 16 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 3-të kohës së Ardhjes, kohës liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po më 16 dhjetor kalendari përkujton shën Davidin mbret e profet dhe shën Adelajdën perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti.
Të hënën më 17 dhjetor, kalendari përkujton shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; shën Gjonin e Matës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan. Danieli me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit.
Të martën më 18 dhjetor, kalendari përkujton shën Malakinë profet e shën Gaciantin ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve të mistershme të Hyjit. Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.
Të mërkurën më 19 dhjetor kalendari përkujton shën Urbanin V papë e shën Anastasin papë. Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.
Të enjten më 20 dhjetor kalendari përkujton shën Liberatin e shën Filogonin. Liturgjia na kujton se për ta njohur me të vërtetë Hyjin Atë nuk mjafton të studiosh filozofinë ose teologjinë: rëndësi ka të kundrosh Foshnjën Hyjnore të lindur nga Virgjëra Nënë.
Të prtemten më 21 dhjetor kalendai përkujton shën Mikenë Profet e të shën Pjetër Kanizin, jezuit e doktor i Kishës. Liturgjia na kujton se Maria e Elizabeta janë ikona e çdo të krishteri, që ndjek Zotin përplot me Shpirtin Shenjt e që prandaj ecën me gëzim e optimizëm edhe ndër shtigje të thepisura.
Të shtunën më 22 dhjetor përkujtohet shën Françeska Kabrini, virgjër, themeluese e Misionareve të Zemrës së Krishtit, që na nxit ta lavdërojmë Hyjin për dhuratën e Krishtit që po vjen e ta lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Zotit, me besimin se mëshira e tij shtrihet mbi të gjithë ata që i druhen.
Të dielën e ardhshme më 23 dhjetor Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 4-të e e të fundit të kohës liturgjike të Ardhjes, që na përgatit shpirtërisht për festën e Krishtlindjes. Po më 23 dhjetor kalendari përkujton edhe shën Gjonin e Ketit, meshtar, që na kujton thirrjen e psalmistit: ‘Ta ngrejmë lart kokën, shpëtimi ynë është afër!’. Pritja e Lindjes së Jezu Krishtit tashmë është tek porta. Tre udhëheqës të mëdhenjë na ndihmojnë të përgatitemi për ta pritur në zemra tona Shpëtimtarin Hyjnor: Izaia profet, Gjon Pagëzuesi, e sot, Maria e Nazaretit.







All the contents on this site are copyrighted ©.