2012-12-15 12:50:58

Papa: Bredhi i Krishtlindjes është shenjë e dritës së Krishtit. Kush kërkon ta shuajë, e bën botën më të errët.


Pavarësisht nga përpjekja për ta shlyer emrin e Zotit nga historia, drita e tij vijon të shndrisë mbi njerëzimin, përmes Krishtit. E kujtoi sot paradite Benedikti XVI, duke pritur në audiencë delegacionin e vendit të vogël molisan, Pescopenataro, i cili sivjet i dhuroi Papës bredhin e festës, që tashmë nusëron, i veshur me stoli, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Sot pasdite, në orën 16.30, në degët e blerta të bredhit monumental, u ndezën qindra drita, gjatë një kremtimi, në praninë e imzot Giuseppe Sciaca-s, sekretar i përgjithshëm i Governatoratit të Vatikanit.
Sa herë që njeriu ka dashur ta shuajë në botë, dritën që u ndez me Lindjen e Jezusit, rezultati ka qenë errësira, e mbushur me tmerre. Ndezja e dritave në bredhin e Krishtlindjes, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pranë Shpellës vigane të Betlehemit, në përfundim e sipër, e nxiti Benediktin XVI të bëjë një reflektim plot dritë-hije. Me dritën verbuese të Hyjit, që u bë njeri e erdhi për të davaritur të gjitha tipet e errësirave. Por edhe me hijen e veprimtarisë së njerëzve, të cilët, në epoka të ndryshme, u përpoqën, e përpiqen, ta shuajnë dritën e Zotit, për të krijuar vezullime të rreme e mashtruese, duke i hapur udhën stinëve të dhunës së pashembullt të njeriut mbi njeriun:
E kjo sepse, kur bëhen përpjekje për ta shlyer emrin e Hyjit nga faqet e historisë, rezultati është krijimi i vijave të shtrembëra, ku edhe fjalët më të bukura e më të fisme, e humbasin kuptimin e tyre të vërtetë. Të mendojmë për terma si ‘liria’, ‘pasuria e përbashkët’, ‘drejtësia’: në se humbasin rrënjosjen në Hyjin e në dashurinë e Tij, në atë Hyj, që e tregoi fytyrën e vet në Jezu Krishtin, këto realitete mbeten shpesh nën pushtetin absolut të interesave njerëzore, humbasin çdo lidhje me të vërtetën e me përgjegjësinë qytetare”.
Shumë njerëz, në rrjedhë shekujsh, pohoi Benedikti XVI, duke vijuar bisedën me banorët e ardhur nga lokaliteti i Pescopenataros, pak më shumë se treqind frymë, prej nga vjen sivjet edhe bredhi i Krishtlindjes, u përpoqën ta shlyejnë nga kujtesa historinë e dritës e të dashurisë, që nisi dymijë vjet më parë, në Betlehem:
“Kjo dritë, tejet e lartë, simbol e kujtesë e së cilës është bredhi i Krishtlindjes, me kalimin e shekujve e të mijëvjeçarëve jo vetëm që nuk u la mbanesh, por vijon të shkëlqejë mbi ne e të ndriçojë çdo njeri, që vjen në botë, posaçërisht kur na duhet të kalojmë çaste të paqarta e të vështira, që nuk mungojnë kurrë në udhën e jetës”.
Papa i falënderoi miqtë për dhuratën - një bredh i bardhë 24 metrash, druri i të cilit pastaj do të përdoret për qëllime solidariteti - ofruar nga bashkësia molisane, kryesuar sot nga ipeshkvi i Isernias, Domenico Scotti, dhe e shoqëroi gjestin me një urim, në përkim me Vitin e Fesë:
“Bredhi i bardhë, që më dhuruat, të dashur peskolanë e banorë të mbarë rajonit të Molises, flet edhe për fenë e besimin e molisanëve. Është detyrë e secilit nga ju dhe e gjithë bashkëvendasve ta shfrytëzojnë gjithnjë këtë pasuri e edhe ta shtojnë, për të përballuar, kështu, urgjencat e reja shoqërore dhe sfidat e sotme kulturore, duke ecur në hullinë e besnikërisë së përhershme e të frytshme të krishterimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.