Krishtlindja me Papën: “Pse Jezusi lindi në Betlehem”.
Në emisionin e 10-të të rubrikës “Krishtlindja me Papën”, nisim shfletimin
e Kapitullit III të veprës së Benediktit XVI “Fëmijëria e Jezusit”. Na njeh
menjëherë me kuadrin historik e teologjik të lindjes së Zotit, sipas Ungjillit
të Lukës, që shkruan: “Në ato ditë, përmes një dekreti, Cesari August urdhëroi të
bëhej regjistrimi në mbarë botën (Lk 2,1). Janë fjalët e para që përdor Luka
në rrëfimin e tij për lindjen e Jezusit. E menjëherë pas, shkruan Papa Benedikti XVI,
Luka na shpjegon pse Jezusi lindi në Betlehem: pikërisht për shkak të regjistrimit,
që kishte për qëllim të përllogariste e të mblidhte taksat, Jozefi me Marinë, fatin
e tij, që ishte shtatzënë, u nisën nga Nazareti, për në Betlehem. Lindja e Jezusit
në qytetin e Davidit vendoset në kuadrin e historisë së madhe universale, ndonëse
perandori nuk e di fare se këta njerëz të thjeshtë shtegtojnë për shkak të tij, në
një çast kaq të vështirë. “Jozefi u nis prej Nazaretit të Galilesë e shkoi në Betlehem
të Judesë, në qytezën e Davidit, pse ishte nga dera e fisit të mbretit të madh. E
kështu, krejt rastësisht në dukje, Foshnja Hyjnore do të lindej në vendin e përmbushjes
së premtimit. Kishte mbërrijtë plotnia e kohëve. Hyji po dërgonte Birin e vet në botë. Luka,
na kujton Papa, thekson se rrethanat historike universale janë shumë të rëndësishme.
Për herë të parë në historinë e njerëzimit, në kohën e Augustit, regjistrohej mbarë
toka, ‘ecumene’ në tërësi. Për herë të parë ekzistonte një qeveri e një mbretëri,
që rrokte orbe-n-botën. Për herë të parë jemi para një zone të pafund, që gëzon paqe,
pasuritë e së cilës mund të regjistrohen e të vihen në shërbim të bashkësisë. Vetëm
në këtë çast, në të cilin ekziston bashkimi i të drejtave dhe i të mirave materiale
në një shkallë të gjerë, e një gjuhë universale i krijon bashkësisë kulturore kushtet
e mirëkuptimit në mendime e në veprime, mund të hynte në botë një lajm universal shpëtimi,
një mbartës universal shëlbimi. Kishte ardhur koha e përmbushjes së premtimit! Por
lidhja ndërmjet Jezusit e Augustit shkon shumë më thellë. Augusti nuk donte të ishte
një sundimtar dosido, si ata që i paraprinë e që do ta pasonin. Epigrafi i Priemit,
që i përket vitit 9 para Krishtit, na tregon si e shikonte veten Perandori e si desh
ta shikonin të tjerët: jo vetëm si politikan, por edhe si figurë teologjike, duke
pasur parasysh, na kujton Papa Ratcinger, se bota e lashtë nuk kishte arritur ende
në ndarjen e politikës nga feja e të politikës nga teologjia. Prej këndej, në vitin
27 para Krishtit, tri vjet pasi qe ulur mbi fron, Senati i dha titullin Augustus (greqisht
Sebastós) – ‘i adhurueshëm’ (sōtēr). Ky titull, që në literaturë i jepej Zeusit, por
edhe Epikurit e Eskulapit, në përkthimin grek të Besëlidhjes së Vjetër i jepet vetëm
Zotit. Ndërsa për Augustin shkruhet se edhe ai e kishte një shenjë hyjnore, sepse
solli në botë kthesën e madhe, duke i hapur shtigjet një kohe të re. Në eklogën
e katërt të Virgjilit, që e kujtuam edhe në emisionin e 8-të, i këndohet shpresës
për lindjen e një bote tjetër, shpresës për rikthimin e Parajsës së humbur. Edhe pse
në vargjet e Virgjilit kemi një sfond më të gjerë, prej tij mësojmë si perceptohej
jeta në epokën e Augustit kur “gjithçka ishte në pritje të ndryshimit”. E gjithçka
ndryshoi vërtet me lindjen e Krishtit në Betlehem të Judës, na shpjegon Papa, sipas
premtimit, që kishte bërë Hyji në Shkrimin Shenjt: ... “E ti Betlehem, tokë e Judës, s’je
kurrsesi më i vogli ndër qytete të Judës; nga ti do të dalë Prijësi që do ta
kullosë popullin tim, Izraelin”. Pikërisht nga Betlehemi do të përhapej në vise
e në kohë ftesa: “Njeri i vjetër, gëzo në harmoninë e kohëve të reja, që të hapin
hapësirat qiellore”.