2012-12-14 15:58:37

Në predikimin e dytë të Kohës së Ardhjes të atë Kantalamesës, një çelës për leximin e Koncilit II të Vatikanit.


Si ta lexojmë Koncilin II të Vatikanit e me ç’sy ta shikojmë, pas 50 vjetësh? Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, e propozoi këtë temë sot paradite, në predikimin e tij të dytë të Kohës së Ardhjes, mbajtur në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Regulltari kapuçin, vuri në dukje se për të bërë bilancin, nuk duhen shikuar vetëm tekstet e Koncilit, por, mbi të gjitha, duhet njohur roli i Shpirtit Shenjt mbi këtë kthesë të madhe.

Rishikim, çarje, risi në vijim: janë këto kyçet e leximit, që shërbyen gjatë viteve, për ta kuptuar Koncilin II të Vatikanit. Pa harruar se, në fjalimin e hapjes, Gjoni XXIII e shpjegoi qartë kuptimin. Koncili, tha Papa i Lum, synon ta transmetojë doktrinën katolike të plotë, të pa zvogëluar, të pa shtrembëruar, të thelluar e të paraqitur sipas kërkesave të kohëve tona”. Prej këtu duhet të nisemi, pohoi atë Kantalamesa, për të mos lejuar që të tërhiqemi nga dy rrymat e lindura pas Koncilit II të Vatikanit; ajo e vazhdimësisë me të kaluarën e ajo e risisë në krahasim me të:
“Cila është ajo gjë, që lejon të pajtohen të kundërtat e të flitet për risi në vazhdimësi, për qëndrueshmëri në ndryshim, në se jo veprimi i Shpirtit Shenjt në Kishë? Shpirti Shenjt nuk thotë fjalë të reja, nuk krijon sakramente të reja, institucione të reja, por i rinon e i gjallëron vazhdimisht fjalët, sakramentet dhe institucionet e krijuara nga vetë Jezusi. Mua më pëlqen të them: 'Shpirti Shenjt nuk bën sende të reja, por i bën të reja të gjitha sendet”.
Shën Agostini na ndihmon të kuptojmë se Koncili II i Vatikanit do të ishte letër e vdekur, në se nuk do të kishim mirë parasysh veprimin e Shpirtit Shenjt. Ishte ipeshkvi i Iponës, ai që sqaroi se normat ungjillore, pa hirin e Shpirtit Shenjt, do të ishin letër që vret. Ja pra, ç’duhet të themi, shtoi atë Kantalamessa, për normat e Kishës e për dekretet e Koncilit:
“Vënia në jetë, apo zbatimi i Koncilit, nuk bëhet duke kthyer faqen, nuk duhet kërkuar në zbatimet fjalë për fjalë e gati mekanike të tij, por në Shpirt, duke kuptuar me këtë, Shpirtin Shenjt, e jo shpirtin e papërcaktuar të Koncilit”.Së fundi, predikatari i Shtëpisë Papnore foli për frytet e Koncilit II të Vatikanit, për të bërë, më pas, pyetjen ku e si figura e Kishës, e përvijuar në Dokumentet e Koncilit, kaloi në jetë, duke kujtuar atë, që thoshte Jezusi për Mbretërinë e Qiellit: “Askush të mos thotë: ‘Ja, është këtu’ ose ‘Ja atje’. Sepse Mbretëria e Hyjit është mes jush” (Lk 17,21). Atë Kantalamesa i ftoi të pranishmit t’i kuptojnë shenjat e lëvizjeve kishtare, duke nënkuptuar me këtë, edhe famullitë, shoqatat e besimtarëve si dhe bashkësitë e reja. Duket diçka e tepruar të flasësh për Rrëshajë të reja, përfundoi rregulltari kapuçin, duke parë problemet e shumta e kundërvëniet e lindura në Kishë pas e për shkak të Koncilit? Nuk duhet të bëjmë tjetër, veçse të shkojmë e të rilexojmë “Veprat e Apostujve’ e të vëmë re se nuk mungonin as para Rrëshajëve të para. E se nuk ishin më pak të flakta, se këto të sotmet.







All the contents on this site are copyrighted ©.