2012-12-14 18:22:11

Fluturojnë tullumbaca në Korenë e Veriut e në vend të shiut, bien…ungjij


Pak javë para se qeveria koreanoveriore të tërheqë mbi vete dënimin e gjithë botës, për shkak të hedhjes së një rakete në hapësirë, që zgjoi frikën për një bomë të mundshme atomike, një grup besimtarësh protestantë të Kishës së Krishtit në Korenë e Jugut, dërguan në hapësirën e kontrolluar nga regjimi komunist një mesazh, shumë më të fuqishëm se çdo lloj rakete. 17 tullumbace në të cilat janë lidhur qese me Ungjillin e Shën Mateut, shtypur në gjuhën koreane, në faqe plastike për të mos u prishur. Eksperiment, që e patën përsëritur edhe në vitin 2010, duke e shoqëruar çdo tullumbac me “Aleluja”. Një nga anëtarët e kësaj Kishe, i cili është arratisur nga Veriu në Jug gjatë luftës ndërmjet dy Koreve, ka financuar botimin e Ungjijve në 1 milion e 200 mijë kopje.
Gjendja e të krishterëve në Korenë e Veriut vazhdon të jetë e rëndë dhe i nënshtrohet – ashtu si gjithë populli korean – formave të kontrollit komunist, të njohura për çdo shqiptar. Në kufi, përveç patrullave të Rojes kufitare, lëvizin edhe agjentët e Sigurimit koreanoverior, për të mos i lejuar njerëzit të fluturojnë drejt lirisë. Gjithsesi, “Open Doors”, organizatë amerikane, që ndihmon të krishterët e persekutuar, arrin të marrë ndonjë lajm, natyrisht, aspak të këndshëm. As që bëhet fjalë për liri fetare e të krishterët arrestohen, torturohen e lirohen vetëm për t’i ndjekur, në mënyrë që të zbulohet kushedi se ç’rrjet i supozuar spiunësh e armiqsh të atdheut. Sipas statistikave jo të sigurta, në Korenë e Veriut jetojnë të paktën 200 mijë të krishterë, që e ruajnë fenë në katakombe, por numri i tyre mund të arrijë në 400 mijë e duket se është gjithnjë në rritje. Ndërsa nga 200 mijë të burgosurit e të internuarit në kampet e përqendrimit, 50-70 mijë janë të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.