2012-12-13 12:40:02

Çelësi i fjalëve të Kishës: Emanueli, Zoti-me-ne


Jemi në Kohën e Ardhjes, duke pritur lindjen e Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Hyji vjen ndër ne. Në Kishën Katolike kjo shprehet përmes një fjale, përmes një emri: “Emanuel”. Ndoshta e kemi dëgjuar shpesh, por a e dimë kuptimin e tij? Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.

“Emanuel”: nuk jemi vetëm ne që shkojmë drejt Zotit në këtë Kohë Ardhjeje, është edhe Hyji që vjen drejt nesh, pranë nesh. Emanuel do të thotë, fjalë për fjalë, ZOTI ME NE. Në këtë emër përfshihet gjithë misteri i Krishtlindjes, i profetizuar nga Isaia: “Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e me emër do ta quajë Emanuel!”(Is 7,14).
Sikur ta dinte profeti i Besëlidhjes së Vjetër se si do ta përdornin këtë fjalë njerëzit, ndoshta do t’u kishte çuar çdo lloj anateme në librin e tij. Vërtet, shpesh njerëzit kanë dashur ta mbajnë Zotin vetëm për vete, ta konsiderojnë përkrahës të ndonjë kauze, edhe të padrejtë. Në togëzën e rrypit të “SS”-ve gjermanë shkruhej “Gott mit uns” (Zoti me ne) e sot, kaq shumë nuk kemi mësuar nga historia, sa të ketë njerëz që pretendojnë të hyjnë në politikë me emra si “Partia e Zotit”, apo të flasin për Hyjin pas çdo akti terrorist.
Absolutisht e papranueshme! Emri i Zotit është “Emanuel” – Zoti me ne, sepse nuk ka dallime në zemrën e Dashurisë universale të Hyjit, në të cilin besojmë. Në Jezu Krishtin, Zoti nuk është parti, pra nuk merr anën e ndonjërit, por është Shëlbimi i çdo njeriu, Shpëtimtari i të gjithë njerëzve, përfshirë ata, që e mohojnë. Zoti i Jezu Krishtit nuk përjashton askënd nga mëshira e vet.
Zoti-me-ne, Emanueli nuk është fitimtari, që i tërheq njerëzit në fushën e tij të betejës. Është Hyji i Dashurisë, që ua hap zemrën e vet njerëzve dhe ia dhuron atë gjithë njerëzimit për ta kthyer në një Popull të Ri e për t’i mësuar ta dojë edhe armikun. E është me ne gjithmonë, prandaj e festojmë çdo vit Krishtlindjen, pavarësisht se ngjarja e lindjes së Jezusit ka ndodhur mëse 2000 vjet më parë.
Kush i njeh antifonat e lashta të Mbrëmësoreve të Kohës së Ardhjes, pas 17 dhjetorit, të cilat quhen edhe “O”-të e mëdha, sepse fillojnë të gjitha me pasthirrmën “O”? Janë shtatë lutje, rreshti i parë i të cilave është thirrje: O Urti, O Udhëheqës i Izraelit, O Rrënja e Jeseut, O Çelësi i Davidit, O Yll që lind, O Mbret i popujve… Antifona e fundit thotë: “O Emmanuel, expectatio gentium et salvator earum”, apo e shqipëruar: shpresë e shëlbim i popujve, eja të na shpëtosh, o Zot, Emanuel. E ashtu siç shkruan shën Mateu ungjilltar, kur na njofton për lindjen e Jezu Krishtit, për ardhjen e të Gjithpushtetshmit në tokë, ku Ai është Emanuel-Hyji me ne: “E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit” (Mt 1,22). Kemi qenë në zemrën e Hyjit që para fillimit të kohrave.








All the contents on this site are copyrighted ©.