Papa ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë: jepuni të rinjve jo vetëm arsim,
por edhe formim shpirtëror
Sot, më shumë se kurrë, të rinjtë kanë të drejtë të edukohen me ndjenjën e përgjegjësisë
e të impenjimit, prandaj qeveritë duhet t’u sigurojnë arsimin e shembullin për t’u
ndjekur. Këto janë fjalët, që u tha sot Papa Benedikti XVI, ambasadorëve të rinj pranë
Selisë së Shenjtë. Ata janë përfaqësues diplomatikë të Guinesë, Nigerit, Zambies,
Tajlandës, Sri Lankës e të shtetit ishullor të Shën Vinsentit e Granadinës, në Antile: “E
drejta për t’u edukuar me vlerat e duhura nuk duhet harruar, ose mohuar kurrë. Dhe
e drejta për t’u edukuar me këto vlera nuk duhet të dobësohet, ose të shlyhet nga
asnjë interes politik kombëtar, ose mbikombëtar”. Në fillimin e audiencës
për paraqitjen e letrave kredenciale, Papa përvijoi një situatë tejet të vështirë,
sidomos për familjen e për shkollën, që duket sikur nuk janë më terreni, nga i cili
të rinjtë marrin limfën e tyre jetësore. Edhe në universitete, vërejti Benedikti XVI,
autoriteti i pedagogëve vihet në diskutim – nganjëherë edhe për faj të tyre – e shkollat
e larta nuk janë më në gjendje t’i afrojnë e t’i entuziazmojnë të rinjtë. Rezultati
është ndjekja në masë e rrugës më të shkurtër, asaj, që duket sikur ta jep suksesin
me pak përpjekje, duke lënë kështu mënjanë një formim të vërtetë kulturor, bazë për
aftësitë e përvojën profesionale. Duhet ndryshuar ky botëkuptim, theksoi Papa: “Përmes
edukimit të drejtë të zemrës e të mendjes, të rinjtë sot, kanë nevojë më shumë se
kurrë t’i japin kuptim impenjimit dhe këmbënguljes para vështirësive. Ata duhet ta
dinë se çdo akt i njeriut duhet të jetë i përgjegjshëm dhe koherent me dëshirën e
tij për amshim e, se këto veprime shoqërojnë formimin e një njerëzimi gjithnjë e më
vëllazëror e më të lirë nga tundimet individualiste e materialiste”. Por të
rinjtë, theksoi me forcë Papa, siç ka bërë gjithmonë, që nga fillimi i papnisë, kanë
nevojë për shembuj, për dëshmi nga ana e të rriturve, duke filluar nga përgjegjësit
e kombeve, nga krerët e shteteve e të qeverive. Vendimet politike dhe ekonomike, tha
Benedikti XVI, nuk duhet të cënojnë trashëgiminë antropologjike e shpirtërore të kombeve,
që bazohet në respektin ndaj njeriut dhe jetës së tij: “U bëj thirrje qeverive
të kontribuojnë me guxim në përparimin e njerëzimit, duke favorizuar edukimin e brezave
të rinj përmes promovimit të një antropologjie të shëndoshë, bazë e domosdoshme për
çdo edukim të vërtetë… Ndërsa qeveritarëve u kërkoj sërish të kenë guxim të punojnë
për konsolidimin e autoritetit moral, kuptuar si ftesë për jetë koherente, e nevojshme
për edukimin e drejtë të brezave të rinj”.