2012-12-13 12:37:53

Egjipti: ipeshkvi Hanna për nenet e projekt-Kushtetutës, që rrezikojnë lirinë fetare.


Gjatë manifestimeve të organizuara nga përkrahësit e presidentit Morsi, lideri i Vëllezërve Myslimanë, Mahmud Beltagui e nxiti përsëri turmën t’u kundërvihet të krishterëve, duke ngulur këmbë se 60% e pjesëmarrësve në demonstratat kundër qeverisë, janë besimtarë të kishës kopte. Këtë pohim e mbrojti, tri ditë më parë, edhe Khairat al-Shater, kreu më i lartë e Vëllazërisë Myslimane. I pyetur nga agjencia Fides, ipeshkvi-ndihmës katolik kopt i Aleksandrisë, Botros Fahim Awad Hanna, denoncoi përpjekjen për të rindezur konflikte, që e trondsisin vendin, duke krijuar një terren të minuar e duke nxitur kundërvënie të reja sektare. Strategjia, deklaroi në agjencinë Fides imzot Hanna, është ajo e kërkimit të një fajtori pa faj, për të fshehur politikën shkatrrimtare, që e ka lëkundur që në themel unitetin e kombit. Një qëndrim i tillë është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Por më duket se popullsia e ka kuptuar menjëherë se është fjala thjeshtë për veprime propagande, që kanë për qëllim të largojnë vëmendjen e kundërshtarëve nga pasojat e vërteta të politikës aktuale. Ipeshkvi Hanna vë theksin mbi faktin se projekt-Kushtetuta nuk kundërshtohet në përgjithësi. Kundërshtohen vetëm disa nga nenet, që kanë të bëjnë me fetë. Neni 2, për shembull, nuk krijon kurrfarë problemi. Që të gjithë e pranojnë kriterin juridik, që i njeh parimet e Sharisë si burim themelor të ligjshmërisë. Neni 3, krejt i ri, i garanton të krishterëve e hebrenjve mundësinë të përdorin parimet e tyre kanonike për rregullimin e çështjeve personale e fetare të bashkësive përkatëse. Mund të duket si garanci për autonomi, por nuk është kështu. Projekt-Kushtetuta nuk i lë asnjë hapësirë lirisë fetare e as mundësisë për të zgjedhur lirisht fenë, që dëshiron secili. Neni 4 i jep Universitetit sunnit të Al Azhar, e jo Gjykatës së Lartë, të drejtën të interpretojë ligjin. Tani Al Azhar mban qëndrim të moderuar, por kush e di si mund të përfundojnë punët në të ardhmen! Neni 44 vë bazat kushtetuese të një ligji të mundshëm mbi blasfeminë, që po shkakton aq dëme në vendet e tjera me shumicë islamike. Disa nene sanksionojnë rolin e grupeve shoqërore të mbrojtjes së etikës e të moralit publik, gjë që mund të përdoret për të themeluar grupe policore, të ngarkuara për të ndjekur njerëzit, sjellja e të cilëve nuk përkon me ligjet fetare. Së fundi, neni 219 sqaron se interpretimi i Sharisë duhet të jetë në përkim me jurisprudencën e shekujve të parë të Islamit. Kështu mund të krijohet mundësia e ndërhyrjes në shkollat, që janë në konflikt ndërmjet tyre, duke mbështetur ata, që ndiqen më shumë nga salafitët.








All the contents on this site are copyrighted ©.