2012-12-12 11:41:08

Papa Kongresit ‘Ecclesia in America’: Krishti, forca vendimtare, që e shndërron kontinentin.


“Është feja, forca vendimtare për shndërrimin e Kontinentit Amerikan”. Me këtë bindje, Benedikti XVI hapi mbrëmë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Kongresin “Ecclesia in America” – “Kisha në Amerikë”, organizuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine dhe nga Kalorësit e Kolombos.
Të dashur miq - u tha Papa kardinajve e ipeshkvijve, ardhur nga përtej oqeani, për takimin, organizuar në kuadrin e Vitit të Fesë - dashuria e Krishtit na nxit t’i kushtohemi pa asnjë kusht kumtimit të emrit të Tij në çdo skaj të Amerikës, duke e çuar, me liri e entuziazëm, në zemrat e të gjithë banorëve të saj:
"… the light for an adequate solution can only come from encounter with the living Christ".
Drita për zgjidhjen e çdo problemi mund të gjindet vetëm në takimin me Krishtin e gjallë. Nuk ka gjë më të ngutshme, më të nevojshme e as shërbim më të madh që mund t’u bëjmë vëllezërve tanë, të etur për Zotin. Prej këndej, dëshmimi i fesë do të jetë më shprehës e më bindës se çdo nismë, ndërsa shpirti i ri misionar, zelli e bujaria e impenjimit, do të jenë kontribut i pazëvendësueshëm për Kishën universale, e cila pret pikërisht këtë nga Kisha në Amerikë, sepse për këtë ka vërtet nevojë.
Në vijim Papa kujtoi se të gjithë veprimtarët baritorë duhet të pastrohen e të përforcohen në jetën e tyre shpirtërore, përmes lidhjes së sinqertë me Zotin, katekizmit të përshtatshëm dhe formimit të përhershëm, besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe magjisterit të Kishës. Kështu do të jenë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave dhe shpresave më të mëdha të zemrës njerëzore.
Në të njëjtën vijë ishte edhe fjala e kardinalit Marc Ouellet, kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Duke kryesuar Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, para arritjes së Papës, Hirësia e Tij i bëri thirrje Kishës amerikane për kthim të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, bashkim e solidaritet, duke nënvizuar se ka rëndësi të madhe që të gjithë të ecin besnikërisht në gjurmët e misionarëve, të shenjtorëve e të martirëve guximtarë, që e bënë Amerikën ‘tokë kushtuar Zotit”, ku jeton më se gjysma e katolikëve të botës.
Kongresi ndërkombëtar “Ecclesia in America” mbahet në Sallën e Sinodit, në Vatikan. Punimet e tij nisën dje, me Meshën në Bazilikën e Vatikanit, pasuar nga takimi me Benediktin XVI, e do të përfundojnë më 12 dhjetor, me një kremtim eukaristik, në orën 18.30, në kishën e Shën Marisë në Traspontinë, në festën e Zojës së Gudalupes, Pajtore e Amerikave.







All the contents on this site are copyrighted ©.