2012-12-12 11:45:33

Më 12 dhjetor Kisha kremton festën e Zojës së Guadalupes


Më 12 dhjetor kalendari Kishtar kremton festën e Zojës së Guadalupes.
Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë edhe sot pikë e sigurt referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare e për mbarë Amerikën Latine.
Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen: "Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!”.
Mijëra shtegtarë nga mbarë bota gjunjëzohen para figurës së Zonjës, për të vënë në duart e saj zemrën e tyre e të mbarë Kishës. Luten e kujtojnë vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas Huan Diegos, fshatarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.
Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, - ka thënë kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Carrera - është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin.
Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Huan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në fenë e krishterë. Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujt e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.
Duke pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e herë pas hershme, Konferenca Ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re: guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja e sotme, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhrit të Zotit.
Festa e Zojës sonë të Guadalupes që kremtohet më 12 dhjetor – është “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, Ylli i ungjillëzimit të ri – është ndihmë për të realizuar në jetën e njerëzve të këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale të latinoamerikanëve, se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj kjo festë e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2012, pas Meshës në Sheshin e Dyqindvjetorit të Pavarësisë në Leon, Papa Benedikti XVI tha:
“Edhe ne sot i lutemi Marisë të na e tregojë Jezusin. I lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën.
Papët, kujtoi Benedikti XVI, e quajtën Zojën e Guadalupes “Zojë të Meksikës”, “Pajtore qiellore e Amerikës Latine”, “Nënë e Perandoreshë e Kontinentit latino-amerikan”.
Ndërsa për popujt e Amerikës Latine, Nëna e Krishtit është ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiane e fisme”. Papa theksoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2012, se devocioni për Virgjërën Mari, që na afron gjithnjë tek Jezusi, nuk është sentimentalizëm shterpë e kalimtar, e as besim foshnjor, por buron nga feja e vërtetë, që na nxit ta njohim epërsinë e Nënës së Zotit, ta duam me dashuri bijnore e t’i bëjmë tonat virtytet e saj:
“Ta duash, do të thotë të impenjohesh të dëshmosh Birin e saj; ta nderosh Zojën e Guadalupes, do të thotë të jetosh sipas fjalëve të frytit të bekuar të kraharorit të saj. Në këto çaste, kur shumë familje detyrohen të ndahen e të nisin rrugët e mërgimit, kur vuajnë për shkak të varfërisë, të korrupsionit, të dhunës shtëpiake, të trafikut të drogës, të krizës së vlerave e të kriminalitetit, duhet t’i drejtohemi Marisë e t’i lutemi të na japë ngushëllim, forcë, shpresë”.
Benedikti XVI ia besoi Zojës së Guadalupes Meksikën, gjithë Amerikën Latine e Karaibet, duke kujtuar se:
“Në kohë prove e dhimbjeje, shumë martirë vdiqën me brohoritjen: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Zoja e Guadalupes”, duke dhënë, kështu, dëshminë e pamort të besnikërisë ndaj Ungjillit e Kishës”.
Në përfundim, Papa u lut që prania e Virgjërës në Meksikë, t’u kujtojë të gjithëve respektin për njeriun, detyrën për mbrojtjen e jetës, frymën e vëllazërimit, domosdoshmërinë për t’i mënjanuar hakmarrjet e kota e për t’i dhënë fund urrejtjes, që përçan.







All the contents on this site are copyrighted ©.