2012-12-12 15:19:38

Mesha e kardinalit Bertone për punonjësit e Institutit të Veprave Fetare (IOR)


Duke punuar së bashku, problemet zgjidhen. E Instituti për Veprat Fetare (IOR), apo banka e Vatikanit, siç njihet jashtë tij, e dëshmoi këtë edhe gjatë këtij viti të vështirë, kur u vu në shënjestër për arsye të ndryshme. Kështu iu drejtua Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone, punonjësve të IOR-it, në meshën e kremtuar dje, në përgatitje të Krishtlindjes. Duke përmendur letrën e të Lumit Gjon Pali II mbi kuptimin e punës në Selinë apostolike, që mbush 30 vjet, kardinali Bertone vërejti se puna në bankën e Vatikanit është e veçantë, ngushtësisht e lidhur me Pallatin Apostolik. Si për çdo bashkësi, që njeh vlerat e fesë, theksoi prelati për punonjësit e pranishëm, edhe e juaja duhet të veprojë në mënyrë të tillë, sa të shihet se marrëdhëniet me njerëzit nuk janë vetëm materiale, por rrënjosen thellë në shpirt. Siç thoshte Gjon Pali II, për të krishterin, edhe puna është burim jete shpirtërore, po aq sa lutja e pendesa. Çdo punonjës tregohet dishepull i vërtetë i Krishtit, duke marrë në krah kryqin e vet në çdo ditë të punës, së konceptuar si shërbim për të afërmin, si kontribut për familjen e për shoqërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.