2012-12-12 12:23:16

Krishtlindja me Papën: “Emri Jezus”.


Pas lajmërimit për zënien e Ferishtes, argument i emisionit tonë të 7-të të rubrikës “Krishtilindje me Papën” Engjëlli i Tënzot i jep Jozefit një kumt tjetër:Mos kij frikë! Maria do të nxjerrë në dritë një djalë e ti do t’ia ngjitësh emrin Jezus. Ai do ta çlirojë popullin nga mëkati” (cfr Mt.1-21).
Njëherësh me ftesën për ta marrë me vete, nën strehën e tij, Vashën, urdhëri për t’i vënë edhe emrin fëmijës, duke e bërë kështu ligjërisht bir në shpirt. E duke i ngjitur të njëjtin emër, që Engjëlli ia kishte thënë edhe Marisë: “Jezus”!
Emri Jezus (Jeshua), në gjuhën hebraike, do të thotë YHWH është shpëtim.
I dërguari i Hyjit, pasi e lajmëron Jozefin, në ëndërr, për natyrën e Foshnjës që pret Maria e siguron edhe se Biri i tij në shpirt do ta shpëtojë popullin e vet nga mëkatet, domethënë do ta shëlbojë. Engjëlli i shpjegon edhe kuptimin e fjalës shpëtim, na e kujton Benedikti XVI në librin “Fëmijëria e Jezusit”, ne, njerëzve në pritje të shpëtimit nga mijëra kurthe e pusi, që na ngre jeta në çdo hap.
Në këtë mënyrë, nga njëra anë, Foshnjës i ngarkohet një detyrë e lartë teologjike, sepse vetëm Hyji vetë mund t’i falë mëkatet. Kështu Jezusi hyn menjëherë në marrëdhënie me Hyjin, në lidhje të drejtpërdrejt me pushtetin shenjt e shëlbues të Tij. Nga ana tjetër, ky mision, që i ngarkohet Mesisë, e që përmblidhet në emrin e Tij, shumkujt mund t’i duket zhgënjyes. Në këtë çast judenjtë nuk mendonin për mëkatet. Mendimi i tyre i parë ishte shpëtimi i Izraelit, e edhe i vetvetes, nga gjendja e tmerrshme e skllavërisë romake. Ata ishin në pritje të rikthimit të mbretërisë së Davidit, donin lirinë, kërkonin pavarësinë, të cilën e gëzonin dikur, nën mbrojtjen e Mbretit të madh. I kërkonin të gjitha këto, sepse lidheshin edhe me mirëqenien materiale të një populli, të varfëruar deri në palcë. Premtimi për faljen e mëkateve u dukej i papërfillshëm, e njëkohësisht, edhe i tepruar. I tepruar, sepse mëkatet mund t’i falë vetëm Zoti, i papërfillshëm, sepse duket sikur Mesia i premtuar nuk do t’ia dijë fare për vuajtjet tronditëse të Izraelit nën thundrën romake, për etjen e tij të vërtetë, për kërkimin e ethshëm të lirisë, në kuptimin më njerëzor të fjalës.
Në fund të fundit në vetë emrin Jezus përmblidhet gjithë polemika mbi mesianizmin e Zotit. A e shpëtoi vërtet Izraelin? Apo ai erdhi e shkoi e gjithçka mbeti siç ishte? Misioni, ashtu si e jetoi Jezusi, ishte apo s’ishte përgjigje që i jepej premtimit të Hyjit Atë për popullin e zgjedhur?
Sigurisht nuk përkonte fare me shpresën për shpëtimin e menjëhershëm mesianik të njerëzve, që rënkonin nën barrën e rëndë të mëkateve, më shumë se nën thundrën e pushtuesit. Por që ndjenin më shumë barrën e dytë, sesa të parën. Mbasi, më tepër se për mungesën e jetës shpirtërore, mendonin për lirinë njerëzore. Nuk donin të shuanin aq urinë e shpirtit, sa urinë e korpit. Jezusi vetë, më se një herë, e pranon se njeriu ka edhe nevoja materiale. Por duke theksuar se, mbi të gjitha, është qenie e arsyeshme. Ka korp, por kryesisht shpirt. Korpi lyp bukën, shpirti Zotin. E në se këputet lidhja themelore, ajo e njeriut me Zotin, atëherë ngatërrohen të gjitha lidhjet e tjera.
Prej këndej, mjafton vetëm emri Jezus, për t’i folur njeriut, për t’i treguar se nuk mund të gëzojë shëndet të plotë, në se nuk shërohet më parë shpirtërisht.
E po prej këndej, njeriut të gjymtë, që i lutet ethshëm ta bëjë të ecë, Jezusi më parë i thotë: “Bir, të janë falur mëkatet”, e më pas, edhe “Çohu e ec!”.
Në këtë kuptim, duke ia shpjeguar Jozefit emrin e Jezusit në ëndërr, Zoti na sqaron plotësisht ç’do të thotë shëlbim dhe cili është kuptimi i emrit të Atij, që po vinte, e po vjen, për të shëlbuar, duke u mishëruar në kraharorin e Vashës virgjër.
Në emrin Jezus, njeriu shikon fillimin e jetës së pasosur;
cakun, ku mund të arrijë, kur këmbët ngarkohen me peshën e dëborës, në dimrin e moshës;
lartimin kah qielli, i sigurt se toka nuk mund ta ngrehë më prej vetes;
daljen prej gjirit të errët të drojes nga vdekja, për të hyrë përgjithmonë në dritë;
shikon shëbimin e mbarë universit!
Na e kujton edhe Papa, në veprën Fëmijëria e Jezusit, duke vijuar të na flasë për “Zënien virgjërore të Marisë, - mit apo e vërtetë?” argument i emisionit të ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.