2012-12-12 15:19:07

Benedikti XVI: fe domethënë ta mbash gjallë në kujtesë veprimin e Zotit në historinë e njeriut.


Historia e Izraelit na mëson se për atë njeri që beson, është imperativ t’i mbajë gjallë në kujtesë ngjarjet e historisë së shëlbimit. Kështu tha Benedikti XVI në katekizmin gjatë Audiencës së Përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Është fjala për rileximin e Biblës, vijoi Papa, thelbi i së cilës, posaçërisht për të krishterët, është Mishërimi i Jezusit.
Në një nga ditët e amshimit të tij, Hyji vendosi të lidhë besën me një popull të dheut, duke i prirë nga skllavëria, në lirinë e Tokës së Premtuar. Ndërsa një ditë tjetër, në atë të plotësimit të kohëve, vendosi të hyjë drejtpërdrejt në historinë e të gjithë popujve, duke u mishëruar në Birin e vet, Jezus. Që nga ky çast, pohoi Benedikti XVI, historia u bë hapësirë, ku mund të vërtetosh ndërhyrjet e Zotit e posaçërisht, vend, ku mund t’i rikujtosh. Mund të rikujtohen një sërë ngjarjesh, përmes të cilave historia njerëzore, bëhet histori e shëlbimit. Një akt që, në fillim, lidhet vetëm me popullin e Izraelit:
“Për mbarë popullin e Izraelit, të rikujtonte atë që veproi Hyji, bëhet detyrim i vazhdueshëm, me qëllim që rrjedha e kohës të kishte vulën e kujtesës së gjallë të ngjarjeve të kaluara të cilat, kështu, ditë për ditë, e formojnë përsëri historinë dhe mbeten gjithnjë të pranishme. Feja ushqehet nga zbulimi dhe nga kujtimi i Zotit, gjithnjë besnik, që i paraprin historisë e përbën themelin e sigurtë e të patundur, mbi të cilin mund të ndërtojmë jetën”.
Hyji, pohoi Papa, e dëfton vetveten jo vetëm në aktin e zanafillës, akt i krijimit të gjithësisë, por edhe duke hyrë në historinë e një populli të vogël, që nuk ishte as më i madhi e as më i forti. Pastaj, vijoi Benedikti XVI, Zbulesa bën një hap tjetër përpara në Natën e Betlehemit. E ky është edhe vendi i parë i rikujtimit të krishterë:
“Çka e ndriçon dhe i jep kuptim të plotë historisë së botës e të njeriut, nis të shkëlqejë në Shpellën e Betlehemit; është Misteri, që do ta kundrojmë pas pak në Krishtlindje: shëlbimi, që realizohet nga Jezu Krishti. Dëftimi i Zotit në histori, për të hyrë në lidhjen e dialogut të dashurisë me njeriun, i jep një kuptim të ri gjithë shtegtimit njerëzor. Historia nuk është thjeshtë një mori shekujsh, vitesh, ditësh, që kalojnë njëra pas tjetrës, por kohë e një pranie, e cila i jep kuptim dhe i hap rrugën e shpresës”.
Në lashtësi, shpjegoi Papa, shprehja ‘kohë e ardhjes’ përdorej për ardhjen e mbretit a të perandorit në një provincë të caktuar. E të krishterët, populli i Besëlidhjes së Re, janë ‘provinca’, që Krishti Fëmijë vjen ta vizitojë:
“Ai është mbreti, që zbriti në këtë provincë të varfër mbi tokë e na bëri dhuratë vizitën e tij, duke u mishëruar, duke u bërë njeri, si ne. Koha e Ardhjes na fton të ecim në gjurmët e kësaj pranie, e cila vijon të na rikujtojë vazhdimisht se Zoti nuk është përjashtuar nga bota, nuk mungon, nuk na ka braktisur në fatin tonë, por vjen e na takon në mënyra nga më të ndryshmet, që duhet të mësohemi t’i dallojmë”.
Duke shpjeguar etapat e ndryshme të Zbulesës, nga Besëlidhja e Vjetër, Benedikti XVI i nxiti përsëri njerëzit, që besojnë, t’i shfletojnë vazhdimisht faqet, në të cilat rrëfehet kjo histori, faqet e Biblës:
Shkrimi Shenjt është vendi më i përshtatshëm për t’i zbuluar ngjarjet e kësaj udhe, e dëshiroj edhe një herë t’i ftoj të gjithë, në këtë Vit të Fesë, ta marrin më shpesh në dorë Biblën, ta lexojnë, ta meditojnë e t’i kushtojnë vëmendje më të madhe Leximeve të Meshës të së dielës; e gjithë kjo është ushqim i çmuar për fenë tonë”.
Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa përshëndeti posaçërisht rregulltarët e Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme dhe artistët e edicionit të 20-të të Koncertit të Krishtlindjes, organizuar nga Fondacioni “Don Bosko në botë”. Viti i fesë, u tha, ju ndihmoftë ta vijoni misionin për ta çuar ndër të gjithë e gjithkund, Ungjillin e shëlbimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.