2012-12-11 15:19:37

Nesër, Papa shkruan tweet-in e parë. Atë Spadaro: në Twitter, Benedikti XVI dëshiron të takojë njeriun e sotëm


Benedikti XVI është regjistruar në rrjetin shoqëror Twitter në internet, me të njëjtën frymë, që nxiti Papën Piu XI për të themeluar Radio Vatikanin. Edhe ai dëshiron të përdorë teknologjitë e reja për t’u takuar me njerëzit e për t’u kumtuar atyre Ungjillin e Krishtit. Kjo është vazhdimësia, që vëren atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, në prag të tweet-it të parë të Atit të Shenjtë, parashikuar për nesër, gjatë audiencës së përgjithshme. Pra, @pontifex (siç quhet faqja e Benediktit XVI në Twitter) do t’u shkruajë për herë të parë mëse 600 mijë ndjekësve të vet në internet. Të dëgjojmë komentin e atë Spadaros për praninë e Papës në rrjetin e njohur shoqëror:
Do ta konsideroja këtë prani si “normale”: sot, është e qartë që komunikimi nuk përkon më me transmetimin e thjeshtë të një mesazhi, por me ndarjen e tij me të tjerët brenda rrjeteve shoqërore. E në Magjisterin e Benediktit XVI mbi komunikimin, ky element është kyç e duhet interpretuar mirë. Kisha e di se sot, mesazhet kalojnë përmes rrjeteve shoqërore, që janë vende të vërteta, në të cilat u jepet kuptim gjërave, ku njerëzit ndajnë me të tjerët jetën, dëshirat, përshtypjet, bëjnë pyetje e kërkojnë përgjigje… Prandaj, praninë e Papës në Twitter do ta shihja si vazhdimësi të pranisë së papëve në mjete si radioja (kujtojmë këtu vendimin e Papës Piu XI për të kumtuar Ungjillin përmes Radio Vatikanit). Do të thosha se Kisha ka treguar gjithnjë kujdes për përparimet në fushën e komunikimit, pikërisht sepse Ungjilli duhet mishëruar në indin komunikativ të historisë.
Duke parë se tweet-et që i kanë shkruar deri tani Papës kanë qenë, nganjëherë, edhe ofenduese e kundër Kishës, dikush mendon se kjo nismë është tepër e rrezikshme. Ç’mendoni ju?
Sigurisht që është e rrezikshme, sepse do të thotë ta ekspozosh mesazhin e Ungjillit. Por gjithsesi, kjo është thelbësore. Kush komenton negativisht faktin se janë shkruar mjaft mesazhe në polemikë me Papën, ndoshta nuk e ka vënë re se në të vërtetë, mesazhe të tilla ka më mijëra në internet, por edhe nëpër gazeta e në mjete të tjera të komunikimit… Këto komente janë pjesë e komunikimit të zakonshëm. Ka edhe pyetje shumë interesante për Papën. Prandaj, kjo është një etapë e rrugës së ndërmarrë, nuk e shoh si problematike.
Prania e Benediktit XVI në Twitter duhet ta rizgjojë impenjimin e të krishterëve në rrjetet shoqërore në internet, sidomos atë të të rinjve, apo jo?
Mendoj se prania e Papës në Twitter i inkurajon katolikët të jenë të pranishëm në ambientin dixhital e kjo, për mua, është një element reflektimi absolutisht themelor. Dua të them se sot, njeriu jeton edhe në rrjet: mund të jemi dakord ose jo, mund të na pëlqejë ose jo ky fakt, por Kisha është e thirrur të jetë aty ku janë njerëzit. E sot, njerëzit gjenden edhe në internet, pasi një pjesë e komunikimit të jetës së tyre ndodh në ambientin dixhital. Jeta është një, e vetme, si në ambientin fizik, ashtu edhe në ambientin dixhital. Realiteti i internetit nuk është ndonjë realitet paralel, në krahasim me ekzistencën e përditshme. Prandaj, katolikët janë të thirrur të jenë të pranishëm në ambientin dixhital, ashtu si në ambientin fizik. Në thelb, Papa s’bën tjetër, veçse e inkurajon këtë prani.
Si duhet pranuar kjo sfidë nga njerëzit e Kishës, nga meshtarët e rregulltarët sidomos, që kjo nismë të mos mbetet një “katedrale në shkretëtirë”?
Një nga sfidat më interesante ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Fjalës së kumtuar dhe kontekstit kulturor aktual. Dimë se konteksti i zakonshëm i jetës së njeriut të sotëm është i fragmetuar, i fraksionuar e ka nevojë për mesazhe kuptimplote, mesazhe urtie, të thella, por edhe të shkurtra. E vetë Papa, në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimeve 2012, pohon se në rrjet – pikërisht në internet – është e mundur të gjejmë hapësira heshtjeje. Pra, edhe komunikimi me internet nuk i duhet kundërvënë komunikimit të heshtur. Tweet-i i Papës është një mesazh shumë i shkurtër, që mund t’i ndihmojë njerëzit të reflektojnë, pra t’i bëjnë vetes pyetje të rëndësishme, por t’ia bëjnë edhe Papës në kutizën “#askpontifex” në Twitter.
Si njeri i fesë, por edhe si njeri i komunikimit, çfarë ju bën më shumë përshtypje në këtë prani të Benediktit XVI në Twitter?
Më bën përshtypje gatishmëria e Papës për të luajtur në një terren, në të cilin kanë hyrë edhe krerë të tjerë fetarë. Më bën përshtypje guximi dhe thjeshtësia për të hyrë në këtë botë komunikative. Në fund të fundit, Kisha karakterizohet nga pasioni për njerëzimin. Është e qartë se ka shumë rreziqe, por ato ekzistojnë gjithmonë e kudo. Mendoj se rruga më e mirë për t’i përballuar sfidat me guxim është t’u vesh gjoksin, t’i kuptosh problemet nga brenda e të mos fshihesh pas një situate të rehatshme e të njohur. Kjo gatishmëri, kjo largpamësi më bën vërtet përshtypje e mendoj se do të jetë një nxitje shumë interesante për të krishterët, që t’i përballojnë me guxim sfidat aktuale.







All the contents on this site are copyrighted ©.