2012-12-11 14:02:17

Me 11 dhjetor kalendarin kujton shën Damasin, Papë


Duke shfletuar kalendarin liturgjik, me 11 dhjetor përkujtojmë Shën Damasin, Papë. Emri grek Damas, me histori shumë të lashtë, sepse e gjejmë që në Iliadën e Homerit, të kujton edhe katakombet romake, sepse Papa i shekullit VI me këtë emër, Damas, qe zbuluesi e arkeologu më i njohur i kohës që ruajti, studioi e mbrojti qytetin e të vdekurve që shtrihet poshtë Romës të të gjallëve.
Spanjoll me origjinë, lindur në Romë në vitin 305, Damasi qe i pari Papë që mori këtë emër, me të cilin mbajti Tiarën nga viti 366 deri më 384. Pikërisht në kohën e tij, falë lirisë së dhënë nga Kostandini, të krishterët i braktisën vendet e fshehta të kultit, prej nga i mbartën edhe reliket e martirëve për t’i vendosur në bazilikën e Kishat e reja që nisën të ndërtoheshin. Kështu për katakombet u krijua rreziku i braktisjes dhe i shkatërrimit të plotë. Po Papa Damasi largpamës e ruajti traditën e nderimit të katakombeve, duke i mbrojtur e shpëtuar nga rreziku i shkatërrimit.
Kujtojmë se pikërisht me porosinë e përkrahjen e tij, shën Jeronimi Iliras, emëruar nga Papa sekretar i posaçëm papnor, përktheu në latinisht variantin e ri të Shkrimit Shenjt – Biblës, që njihet me emrin ‘Vulgata’. Është përkthim i pashoq, që u bëri ballë shekujve e që edhe sot e kësaj dite mbetet tekst bazë për të gjithë studiuesit e Biblës. Papa Damasi vdiq në moshë të shtyrë, 80 vjeç e, pas varrimit të përkohshëm në rrugën Romake Ardeatina, reliket e tij u bartën në Kishën romake të Shën Lorencin in Damaso.







All the contents on this site are copyrighted ©.