2012-12-11 14:00:40

Krishtlindja me Papën: “Jozefi, Njeri i drejtë”.


Folëm, në emisionin e 5-të të rubrikës “Krishtlindje me Papën”, për reagimin e Marisë përballë Lajmërimit të Engjëllit. Po Jozefi? Ç’thotë për të e për reagimin e tij Benedikti XVI në veprën “Fëmijëria e Jezusit”?
Duke hyrë në thellësinë e rrëfimit ungjillor, Papa na kujton se, ndryshe nga Luka, Mateu e paraqet Jozefin si pasardhës i Davidit. Kështu ai lidh figurën e Jezusit me premtimin që iu bë mbretit të madh të Besëlidhjes së Vjetër. Mateu, i pari, na njofton se Maria ishte e fejuara e Jozefit e se, sipas së drejtës judaike në fuqi, fejesa kishte forcën e lidhjes juridike, kështuqë Maria mund të quhej gruaja e Jozefit, edhe pse nuk kishte hyrë ende nuse nën strehën e tij. Si e fejuar, Vasha jetonte në shtëpi të prindërve e mbetej nën pushtetin atëror. Në shtëpinë e re shkelte një vit pas fejesës e pak kohë pas dasmës në strehën atërore.
Mbas lajmërimit dramatik të Marisë, Papa na kujton lajmërimin edhe më dramatik të Jozefit. I tronditur thellë, ai mëson se Vasha e tij ishte shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt (Mt 1,18). Por këtë lajm ai nuk e merr vesh drejtpërdrejt, nga goja e Lajmëtarit qiellor, si Maria. Prandaj nuk ka sesi ta besojë menjëherë, pa asnjë mëdyshje. Natyrisht, mendimi i parë është ta lëshojë të fejuarën. Mendimi i dytë, si ta lëshojë? Si ta prishë fejesën? Publikisht apo privatisht? Në shpirtin e Jozefit shfryn një stuhi e vërtetë. Po më në fund zgjedh rrugën private. Tepër e dhimbshme, ta akuzojë në sy të të gjithë botës, edhe pse i ka hapur një plagë tejet të thellë, shkruan Papa. E në këtë vendim, Mateu shikon një shenjë, e cila tregon se Jozefi ishte Njeri i drejtë, ‘zaddih’ në hebraisht, dhe e radhit në galerinë e figuarve të mëdha të të Drejtëve të Besëlidhjes së Vjetër, duke nisur nga Abrahami, i Drejti e duke vijuar me Besëlidhjen e Re, në të cilën fjala “i Drejtë’ , merr kuptimin “Besnik”, njeri që nuk e then për asgjë në botë besën e Zotit lidhur me njeriun.
Figurën klasike të njeriut të drejtë e gjejmë tek Psalmi 1. Kështu, pikërisht tek ky Psalm, gjejmë edhe figurën e Jozefit, na kujton Papa, duke vënë në dukje portretin e të Drejtit, sipas Shkrimit Shenjt:
“I drejtë është ai, që s’e ndjek këshillin e të mbrapshtëve; nuk ecën në udhën e mëkatarëve; s’rri në shoqëri të të çmeundurve. Përkundrazi! Kënaqet me ligjin e Zotit, ligjin e Tij e kujton ditë-natë. Ai do të jetë si druri në brigje të ujërave, do të japë fryt në kohë të caktuar e gjethet e tij nuk do të bien kurrë; veprat e tija do t’ia arrijnë qëllimit”.
Me figurën e rrjedhës së ujërave, na kujton Papa Ratcinger në veprën “Fëmijëria e Jezusit”, Psalmi nënkupton Fjalën e Zotit, e cila ushqen paprerë rrënjët e të Drejtit.
E pikërisht kjo figurë e njeriut, që i ka rrënjët në ujërat e gjalla të Fjalës së Zotit, gjithnjë në dialog me Hyjin, gjithnjë i ngarkuar me fryte, bëhet konkrete në ngjarjen e përshkruar, ashtu si në gjithçka që tregon Ungjilli për figurën e Jozefit të Nazaretit. Pasi zbulon ngjarjen e pangjarë ndonjë herë, mendimi i tij kryesor është ta zbatojë sa më drejtë ligjin. E këtë e bën me dashuri. Nuk do ta turpërojë Marinë para botës, ta braktisë e ta poshtërojë publikisht. E do fort, edhe në çastin e zhgënjimit të madh.
Ndërsa Engjëlli hyn në shtëpinë e Marisë (Lk 1,20), Jozefit i duket në një ëndërr, që zbulon realitetin. “Jozef, bir i Davidit, i thotë, mos kij frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse ç’është zënë në kraharor të saj, është vepër e Shpirtit Shenjt”(Mt 1,21). E Jozefi e percepton plotësisht praninë hyjnore. E ndjen. E pranon. E i bindet! Zoti për të nuk është ligj i imponuar nga jashtë, na shpjegon Papa, por gëzimi i jetës.
Për Jozefin, Ligji është lajm i mirë. I Drejti e do Zotin, e kupton dhe e jeton në thellësi të shpirtit. Zoti është besa e tij. I përgatitur kështu shpirtërisht, Jozefi, që e jeton ligjin si Ungjill e që kërkon udhën e bashkimit të drejtësisë me dashurinë, e pranon lajmin e mirë, të papritur e, parë me syrin njerëzor, edhe të papranueshë, duke u mësuar kështu njerëzve në shekuj se besimi në fjalën e Zotit e mbush njeriun me shpresë edhe në rrethanat më të vështira. Kështu, na mëson Papa, i Drejti e dëgjon fjalën e Hyjit e fjalën e Profetëve e fryti i tij nuk vdes kurrë!
Ky ishte reagimi i Jozefi, të cilit Engjëlli i ngarkoi edhe detyrën ta quante fëmijën me emrin Jezus. Kuptimit të këtij emri, mbi të gjithë emrat, do t’i kushtojmë emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.