2012-12-10 13:52:35

Sintezë e fjalës së kardinalit Anxhelo Skola në Mbrëmësoret e para të festës së Shën Ambrozit


Edikti i Milanos, i perandorit romak Kostandin, 1700 vjetori i të cilit do të përkujtohet në vitin 2013, përcakton jo vetëm “fundin progresiv të persekutimeve kundër të kishterëve, por sidomos, aktin e lindjes së lirisë fetare”. Filloi prej këtij pohimi fjalimi tradicional i kryeipeshkvit të Milanos, kardinalit Anxhelo Skola, në prag të festës së Shën Ambrozit e në ditën e përurimit të Vitit kostandinian. Tema e fjalimit: “Edikti i Milanos: initium liberartis”. E megjithatë, theksoi kardinali, nuk mund të mohohet se ngjarjet, që pasuan shpalljen e Ediktit nga ana e perandorit romak, qenë mjaft të trazuara për të krishterët, të cilëve historia nuk ua dha aq lehtë lirinë. “Përzierja e tepruar ndërmjet pushtetit politik dhe fesë – nënvizoi Anxhelo Skola – mund të përfaqësojë një çelës të vlefshëm për interpretimin e fazave të ndryshme të praktikimit të lirisë fetare në histori”.
Gjendja ndryshon thellësisht me Deklaratën e Koncilit II të Vatikanit, “Dignitatis humanae”. Vërtet, Koncili pohon se njeriu ka të drejtë të mos jetë i detyruar të veprojë kundër ndërgjegjes së vet. Pra, e drejta fetare njihet si e drejtë themelore e njeriut. Në kundërshtim të plotë me këtë pohim, pranuar tashmë botërisht, raportet e fundit tregojnë se ndërmjet viteve 2000-2007, në 123 vende është vërejtur të paktën një formë persekutimi fetar. Ky numër është fatkeqësisht, në rritje, duke dëshmuar për probleme të rënda në shoqëri, sipas kardinalit Skola. Kryeipeshkvi i Milanos analizoi më pas aspektet e ndryshme të lirisë fetare: marrëdhëniet ndërmjet së vërtetës objektive dhe ndërgjegjes individuale, koordinimin ndërmjet bashkësive fetare dhe pushtetit shtetëror dhe “nga pikpamja teologjike kristiane, çështjen e interpretimit të universalitetit të shëlbimit të Krishtit para pluralizmit të feve”. Pastaj, temën e lirisë së kthimit në fe tjetër e atë të dallimit ndërmjet pushtetit politik e fesë. Sa më shumë shteti të vendosë kufizime, aq më shumë rriten kontrastet me bazë fetare, vërejti prelati.
Më pas, kardinali Anxhelo Skola kujtoi problemet e ngritura nga ipeshkvijtë e SHBA-ve, pas reformës së shëndetësisë së presidentit Barak Obama, i cili u imponon institucioneve fetare t’u japin punonjësve të tyre sigurime shëndetësore, ku përfshihen praktikat kontraceptive dhe abortive. Gjithashtu, dha shembullin e modelit francez të laicitetit, i cili duke pretenduar të jetë i paanshëm, faktikisht, kthehet në një model intolerant ndaj fesë. Shteti duhet ta respektojë gjithmonë shoqërinë civile, theksoi kryeipeshkvi i Milanos, duke u kufizuar në qeverisjen e saj. Në shoqëritë perëndimore, ndarjet më të thella vërehen ndërmjet kulturës së shekullarizuar dhe fenomenit fetar e jo, siç mendohet shpesh gabimisht, ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme. Kështu, shteti, në vend që të mbajë të njëjtën distancë nga fetë, mbron botëkuptimin, sipas të cilit Zoti nuk është i nevojshëm. Por ky është vetëm njëri nga këndvështrimet kulturore në një shoqëri pluraliste. Shteti, denoncoi kardinali Skola, ka bërë të vetën një kulturë të veçantë, “atë të shekullarizuar, që përmes legjislacionit, bëhet kulturë mbizotëruese e ushtron pushtet negativ ndaj identiteteve të tjera, sidomos ndaj atyre fetare”, duke i mënjanuar, ose përjashtuar nga sfera publike.
Në të vërtetë, propozoi kardinali, kemi nevojë për një shtet, i cili, “pa përvetësuar një këndvështrim të caktuar”, të mos e interpretojë pavarësinë nga feja si shkëputje prej saj, por të krijojë hapësira, që secili prej subjekteve shoqërore të mund të kontribuojë për të mirën e përbashkët. Pra, liria fetare është pjesë e një sfide më të madhe: asaj të gjetjes së bazave të reja antropologjike e shoqërore të bashkëjetesës në shoqëritë e qytetëruara të këtij mijëvjeçari të tretë. Qyteti i Milanos e tokat e Lombardisë, vazhdoi kryeipeshkvi, do të banohen gjithnjë e më tepër nga “italianët e rinj”, emigrantët, të cilët duhet të konfrontohen me një shoqëri gjithnjë e më shumëngjyrëshe, ndërsa qendrat e vërteta të pushtetit do të zhvendosen gjithnjë e më shumë në Evropë e në botë. Gjithsesi, nënvizoi kardinali Anxhelo Skola, këto pushtete nuk do të jenë kurrë të paanshëm e do të jenë edhe më të aftë të paraqiten si protagonistë të shoqërisë, si grupe presioni. Kisha ambroziane, së bashku me Kishat e tjera, është e thirrur të dëshmojë rëndësinë e përmasës publike të fesë, të kërkojë forma të reja, që i mbajnë të krishterët të lidhur me rrjetet e solidaritetit, të mikpritjes, të edukimit në fe e në kulturë. Koha jonë, përfundoi prelati, kërkon një kulturë më të gjerë e më të re për shoqërinë e për politikën.







All the contents on this site are copyrighted ©.