Më 10 dhjetor kalendari kujton shën Qezarin, ipeshkëv i Durrësit
Sot më 10 dhjetor Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Qezarin, ipeshkëv. Thuhet
se ishte njëri nga 72 ndjekësit e parë të Krishtit, më pas, ipeshkëv i Durrësit,
në Iliri, ku mendohet të ketë vdekur martir për fenë, ndoshta në amfiteatrin e famshëm
të qytetit bregdetar, ku vala e persekutimit ndaj të krishterëve që shpërthente në
Romë, arrinte më shpejt se në zonat e brendshme të vendit, aq më tepër sepse qyteti
i Durrësit ishte një nga qendrat më të njohura që lidhte vendin me Perandorinë Romake. Dihet
se nga gërmimet arkeologjike të amfiteatrit kanë dalë në dritë shumë objekte që flasin
për persekutimin e të krishterëve në shekujt e bashkësive të para. Mund të ketë një
lidhje të ngushtë ndërmjet misionit ipeshkvnor të shën Qezarit martir e predikimit
të shën Palit Apostuj në këto troje, të cilat e dëgjuan për herë të parë kumtimin
e Ungjillit të Krishtit pikërisht nga goja e Apostujve të Popujve. Mendimin e mbështesim
në letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve, ku shkruhet: “Kështu e përhapa Ungjillin
e Krishtit që nga Jerusalemi e deri në Ilirik”. Mbetët për t’u shfletuar shumë ndër
dokumentet e lashta kishtare, që flasin për persekutimin e të krishterëve në kohën
e Dioklecianit, për të hedhur dritë mbi këtë figurë të ipeshkvit të Durrësit, shën
Qezarit, që përkon me agimin e krishterimit në Iliri vetëm pak kohë pas mundimeve,
vdekjes mbi Kryq e Ngjalljes së Jezu Krishtit, duke vendosur kështu një gur themeli
në historinë e krishterimit në trevat shqiptare. Nëse e shfletojmë historinë e
krishterimit, mësojmë se apostulli i fundit i Krishtit, Gjoni, vdiq në vitin 100.
Prej këndej, nëse Qezari qe vërtetë ndërmjet 72-ve, duhet të ketë jetuar e të ketë
vdekur para këtij viti. Gjurmët e para të dokumentuara të ekzistencës së ipeshkvijve
në trojet ilire i gjejmë në fillim të shekullit IV, në aktet e Koncilit Kishtar të
Nikesë, në të cilin morën pjesë ipeshkvijtë e Ilirikut: Dominius nga Sirmium (Mitrovica
e Sremit), Protageni i Sardikës, Dakus i Shkupit dhe Pistus i Marcianopolisit.