2012-12-10 14:42:02

Krishtlindja me Papën:“S’ka gjë të pamundur për Zotin”.


Në emisionin e pestë të rubrikës “Krishtlindja me Papën", titulluar “S’ka gjë të pamundur për Zotin”, reagimet e Marisë përballë Engjëllit Lajmëtar.

Në Librin e tij kushtuar “Fëmijërisë së Jezusit, Papa rikujton skenën ungjillore të Engjëllit, që i kumton Marisë se do të nxjerrë në dritë “Birin e Hyjit” dhe i premton se i Tejetlarti do t’i japë fronin e Davidit. Ai do të mbretërojë përgjithnjë mbi shtëpinë e Jakobit e mbretëria tij nuk do të ketë mbarim. Foshnja do të quhet Jezus, emër që vjen misteriozisht nga Sinai e do të thotë: Hyji shpëton! Kumti për uljen e një mbreti të ri mbi fronin e Davidit i jepej Marisë në kohën kur, nën vartësinë e Romës, sundonte Herodi. Qe idumeo, jo bir i Davidit. E sidomos, për shkak të mizorisë së tij të pashembullt, karikaturë e atij pushteti mbretëror, i cili i qe premtuar Davdit. Kjo na kujton fjalët e Jezusit para Pilatit: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote” (Gjn 18.36).
Maria, pasi dëgjon lajmin e madh, është e vetëdijshme se po takohej shpirtërisht me Fjalën e Zotit. Fryma e kumtimit të Engjëllit kishte rënë në vesh, që dinte të dëgjonte. E dinte edhe të kuptonte se lajmi: “Do të zesh në kraharor e do të nxjerrësh në dritë një djalë. Ky do të jetë i madhnueshëm e do të quhet Bir i të lartit Zot e Zoti Hyj do t’i dorëzojë fronin e Davidit” (Lk, 1,37), i vinte nga lart. Por, a mund të mos tronditet njeriu, para një lajmi të tillë, të padëgjuar. Megjithatë ajo e mposht shpejt turbullimin. Na paraqitet, kështu, kujton Benedikti XVI, vashë guximtare, që di t’i frenojë rrahjet e zemrës e, sidomos, di të kuptojë. Në këtë mënyrë bëhet simbol i vetë Kishës, që e reflekton Fjalën e Zotit, përpiqet ta kuptojë në tërësinë e saj dhe e ruan dhuratën në kujtesë.
Enigmatik, reagimi i dytë i Vashës së Nazaretit. Kur dëgjon se është zgjedhur të bëhet Nënë e Mesisë, ajo pyet shkurt, por në mënyrë të prerë: “Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë!”(Lk 1,34). E merr përgjigjen: “Shpirti Shenjt do të zbresë mbi ty; mbi ty do të shtrijë hijen e vet pushteti i të lartit Zot. S’ka gjë të pamundur për Hyjin”(Lk.1,34).
Pyetja e Marisë, sipas Papës në librin e tij kushtuar “Fëmijërisë së Jezusit”, duket e pakuptueshme, sepse Vasha ishte e fejuar e, sipas së drejtës judaike, quhej tashmë gruaja e Jozefit, edhe pse nuk banonte nën një strehë me të.
Ndërsa Agostini mendon se Maria ia drejton këtë pyetje Engjëllit, nga që kishte bërë kushtin e virgjërisë e qe fejuar thjesht për t’u mbështeur në krahun e një burri, që të mos e thyente betimin. Po ky shpjegim nuk pajtohet me botën judaike. Ç’do të thotë, atëherë, me këtë fjalë? Ekzegjeza moderne nuk ka gjetur akoma një përgjigje bindëse. Kjo shprehje e Marisë mbetet enigmë e mister. Maria, për arsye të panjohura nga ne, nuk shikon asnjë mënyrë për t’u bërë nënë e Mesisë me rrugë normale, pasi të hyjë nën strehën e Jozefit. Por kumti i Engjëllit është: “Hyji dëshiron që Vasha të bëhet Nënë”!
Reagimi i tretë është përgjigjja kryesore e Marisë: “U bëftë mbi mua si është Fjala jote!”(Lk 1,38). E ky, edhe çasti vendimtar, kur Vasha thotë “po’. Çast i nënshtrimit të lirë, të përvuajtur, të fisëm, në të cilin liria njerëzore arrin kulmin e vet.
E gjithë jeta ndryshon. Bota sillet rrethas, në pritje të kohës së re, pa u kujtuar aspak. Engjëlli rreh flatrat kah hapësira qiellore e ajo mbetet fill e vetme, me detyrën, që i kapërcen kufijtë e çdo force njerëzore. E niset me frymë të re brijave të thyeshme të një jete krejt të jashtëzakonshme. Rreth saj nuk fluturojnë engjëjt, na kujton Papa Ratcinger. Duhet të vijojë udhën, që kalon përmes lugjesh të verbëra, nëpër errësirë, duke nisur nga tronditja e Jozefit, kur merr vesh se Vasha e tij pret një foshnje, tek çasti kur për Jezusin thuhet: “Ka djallin në trup! Mos ia vini veshin!”(Mk 3,21; cfr Gjn 10,20) e derisa shikon si ia mbërthejnë të Birin e vetëm mbi Kryq.
Sa herë, na kujton Papa, në sa përgatitemi shpirtërisht për Ardhjen e Jezusit, Maria, do të jetë kthyer me mend në orën e jashtëzakonshme, kur i foli Engjëlli! Sa herë do t’i ketë tingëlluar në vesh përshëndetja: “Gëzoju, Hirplote!”. E sa herë, në sa zemra i kullonte gjak, do të ketë dëgjuar shprehjen ngushëlluse, “Mos kij frikë!”, në gojë të kasnecit qiellor.
Engjëlli rikthehet në sferat e larta, misioni mbetet. Shpirti i Vashës Virgjër, që do të bëhej Nëna e Foshnjës hyjnore, shikon e prek gjithnjë më fort afërsinë e Zotit, për të cilën ne të gjithë, na kujton Papa, kemi aq shumë nevojë, në këtë Kohë të fortë kishtare e në të gjitha kohët.
Në emisionin e ardhshëm, reagimi i Jozefit përballë lajmërimit të Engjëllit.







All the contents on this site are copyrighted ©.