2012-12-10 13:50:33

Kardinali Skola: laiciteti, i ashtuquajtur “i paanshëm”, është intolerant


Zgjuan diskutime mjaft të gjalla, fjalët e kryeipeshkvit të Milanos, kardinalit Anxhelo Skola, me rastin e Solemnitetit të Shën Ambrozit, pajtor i Kishës me të njëjtin emër. Në Lutjet e para Mbrëmësore të festës u përuruan edhe kremtimet për 1700 vjetorin e Ediktit të Kostandinit, apo Ediktit të Milanos së vitit 313, me të cilin perandori romak e linte të lirë ushtrimin e fesë së krishterë e të çdo feje, duke vënë kështu bazat e lirisë fetare. Kardinali u nis nga ky akt për të arritur në lirinë fetare të ditëve tona, foli për një model laiciteti, që duket i paanshëm, por, në të vërtetë, priret ta mënjanojë fenë nga jeta e përditshme. Kryeipeshkvi i qytetit verior italian theksoi rëndësinë e laicitetit pozitiv, që respekton komponentet e ndryshme civile e fetare të shoqërisë. Por, cilat janë marrëdhëniet e drejta ndërmjet shtetit dhe fesë? Të dëgjojmë vetë kardinalin Anxhelo Skola, në mikrofonin tonë:
Marrëdhënie të drejta janë ato, për të cilat shteti dhe institucionet shtetërore nuk përvetësojnë asnjë këndvështrim mbi jetën, ose mbi botën: qoftë fetar, qoftë thjesht racional, si me anë të formulimit të ndonjë deklarate, ashtu edhe me ndonjë ligj të pashkruar. Shteti duhet të favorizojë një hapësirë brenda shoqërisë civile, ku të mund të shprehen të gjitha subjektet publike, fetare, ose etike, në mënyrë që të konfrontohen ndërmjet tyre e me të gjithë njerëzit, e përmes krahasimit të këndvështrimeve të arrijnë në njohjen objektive të atyre vlerave shpirtërore e materiale, të cilat përbëjnë anën më të mirë të jetës së njerëzve. Më pas, ato duhet të zbatohen e të administrohen denjësisht. Pra, një këndvështrim pozitiv për lirinë fetare, por edhe një botëkuptim të ri e pozitiv për laicitetin e shtetit.
Nëse nuk jemi të paanshëm, siç keni thënë ju, a mund të mbajmë të njëjtën distancë prej feve?
Fjala “i paanshëm” është e vështirë të përdoret në këtë fushë, sepse shoqëria civile nuk mund të jetë e paanshme: të gjithë paraqesin një këndvështrim për jetën. Edhe kur them “jam indiferent, jam agnostik”, shpreh një këndvështrim për jetën. Por, mund të themi se shteti duhet të jetë jo konfesional: nuk duhet të bëjë të vetin një këndvështrim të caktuar mbi jetën, por nuk duhet të jetë i shkëputur, nuk duhet t’i neutralizojë fetë dhe etikën, që kanë rëndësi për jetën e shoqërisë; përkundrazi, duhet të favorizojë shprehjen e tyre. Pastaj, ato vetë do të gjejnë format për ta pasuruar shoqërinë e, natyrisht, shtetit do t’i duhet t’i qeverisë këto forma. Nuk po them, pra, se shteti nuk duhet të bëjë asgjë, në të kundërt: po them se shteti duhet të ndërhyjë, të vendosë ligje e të qeverisë, duke qenë i vetëdijshëm se për ta bërë këtë si duhet, nuk mund të zgjedhë një këndvështrim të caktuar në mesin e të tjerave. Duhet vetëm të favorizojë konfrontimin ndërmjet atyre ekzistuese.
Kardinal Skola, a ka rrezik që Evropa, apo vendet perëndimore në përgjithësi, të shkojnë drejt kufizimit të lirisë fetare?
Duhet të dallojmë shumë qartë dy gjëra: ashtu siç thonë raportet më serioze e më të sakta në këtë fushë, vetëm deri në vitin 2007, në 123 vende, janë vërejtur kufizime dhe persekutime për shkak të fesë; rasti i Evropës është pak i veçantë. Fillon të duket ndonjë sinjal, që sipas meje, tregon se do të ishte me mend të merrej në dorë kjo temë, me më shumë energji në krahasim me ç’po bëhet deri tani. Sinjali i fundit, që më ka bërë vërtet përshtypje dhe u bë e njohur vetëm pak ditë më parë, është nisma e një eksponenti të qeverisë franceze, i cili propozon të sekuestrohen të gjitha lokalet bosh të institucioneve fetare për të vendosur aty njerëzit, që nuk kanë ku të flenë. A thua se Kisha e Francës nuk po bën ç’është e mundur në këtë fushë! Këtu, ka rrezik të formulohen ligje për t’i mbushur këto lokale, të cilat, natyrisht, nuk janë bosh rastësisht. Më thonë edhe se, në nivelin evropian, ka propozime për ta shfuqizuar kundërshtimin për hir të ndërgjegjes. Në Amerikë, jemi dëshmitarë të kritikave të ipeshkvijve për disa nga rregullat e ligjit të shëndetësisë së presidentit Obama, që i detyron institucionet katolike – edhe spitalet e shkollat – t’u japin punonjësve të tyre atë sigurim shëndetësor, i cili parashikon edhe praktika kontraceptive e abortive. Kjo do të thotë të dhunosh lirinë e ndërgjegjes së të krishterëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.