2012-12-09 15:29:32

Papa: Krishtlindja të mos jetë vetëm festë e jashtme, por pranim i Zotit që vjen


Në tregimin e tij mbi Lindjen e Jezusit, “Luka ungjilltar nxjerr në dritë leximin e gënjeshtërt të mitit që shpesh i bëhet Ungjijve”, dhe vendos në kuadrin e saktë historik “ngjarjen vërtetë të madhe, lindjen e Krishtit, të cilën bashkëkohësin tanë as që do të vërenin e shënonin”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI në reflektimin e tij të shkurt para lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ashtu siç bëri dje pasdite në sheshin Spanja të Romës, duke folur mbi shtatzëninë e Marisë, Papa ripohoi edhe një herë sot se “për Zotin të mëdhenjtë e të pushtetshmit e historisë janë vetëm kornizë e të vegjëlve”, përmes të cilëve Hyji realizon planin e shëlbimit. Kështu na mëson shembulli i Marisë, e në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele të dytë të Ardhjes, shembulli i Gjon Pagëzuesit.
“Krishtlindja duhet të jetohet e të përjetohet jo vetëm si festë e jashtme, por si festë e Birit të Zotit që ka ardhur për të t’u njerëzve paqen, jetën e gëzimin e vërtetë”. Ky pra është urimi që Papa Benedikti XVI ka shpreh gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar sot në Vatikan. “Në shoqërinë e konsumeve, në të cilën jemi të tentuar ta kërkojmë gëzimin në sende, Gjon Pagëzuesi na mëson të jetojmë në mënyrë thelbësore”, shpjegoi Papa para 40 mijë besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. “Ndërmjetësisë amnore të Marisë, Virgjërës së Ardhjes, le t’ia besojmë – nënvizoi Ati i Shenjtë – udhëtimin tonë drejt takimit me Zotit që vjen, për të qenë të gatshëm ta pranojmë, në zemër e në tërë jetën, Emaluelin, ‘Zotin-me-ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.