2012-12-08 18:47:53

Papa në Engjëllin e Tënzot: përmes Zojës së Papërlyer, njerëzimi ia hap zemrën Zotit. Afërsia me Filipinet, dëmtuar nga uragani.


“Përmes Marisë, njerëzimi e historia ia hapin zemrën Zotit”: këtë pohoi sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, kremtuar për festën e Zojës së Papërlyer. Benedikti XVI kujtoi edhe popullsitë e Filipineve, dëmtuar rëndë nga një uragan shkatrrimtar.
Festa e Zojës së zënë pa mëkat, tha Papa, na kujton se Maria është dhuratë e hirit të Zotit, i cili, në Zojën e Papërlyer gjeti gatishmëri e bashkëpunim të plotë. Vasha e Nazaretit, shtoi Papa, e dëgjon fjalën e Zotit, e pranon, i përgjigjet, i thotë atë ‘po’, që i krijon kushtet të mishërohet e të vijë për të ndenjur ndër ne:
Në Marinë njerëzimi e historia hapen vërtetësisht për Zotin, e pranojnë hirin e Tij, janë gati të bëjnë vullnetin te Tij. Maria është shprehje e vërtetë e hirit”.
Zoja e Papërlyer, vijoi Ati i Shenjtë, bëhet përfaqësuese e Izraelit, të cilin Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër e përshkruajnë me simbolin e vashës-nuse. Nuk është e rastit, prandaj, vijoi Papa, që doktrina e së Papërlyerës lindi së pari lidhur me Kishën virgjër e nënë, e më pas, me Marinë. Drita, që përhapet nga Maria, vijoi të pohonte Ati i Shenjtë, na ndihmon të kujtojmë domethënien e vërtetë të mëkatit origjinal. Sepse Zoja e Bekuar është në atë lidhje të plotë e vepruese me Zotin, që mëkati e këput:
“Ajo nuk e kundërshton kurrë Zotin: është në bashkim të plotë, në marrëveshje të përkryer me Të. Jemi para një ‘po’ reciproke, që Zoti ia thotë asaj, e ajo, Zotit. “Maria është e lirë nga mëkati, sepse është plotësisht e Zotit, i përket Atij me të gjithë vetveten. Është përplot me hirin e Tij, me dashurinë e Tij”.
Prej këndej mund të themi se doktrina e të Zënit pafaj të Zojës së Bekuar, nënvizoi akoma Papa, shpreh sigurinë e fesë për realizimin e premtimeve të Zotit, për besëlidhjen e tij, që nuk gabon, por prodhon një rrënjë shenjte, nga e cila bulon Jezusi. E Papërlyera, vijoi Papa, dëshmon se hiri është në gjendje të frymëzojë përgjigjen, se besnikëria e Zotit di të krijojë një fe të vërtetë e të mirë. Më pas Papa u la takim besimtarëve në Sheshin e Spanjës, pasdite, për të nderuar Zojën e Papërlyer. E përfundoi:
“Ta ndjekim shembullin e Nënës së Zotit, që edhe ne t’i përgjigjemi hirit hyjnor me një fe të vërtetë e të frytshme”.
Pas lutjes së Engjëlli të Tënzot, Papa u shprehu afërsinë e tij popullsive të Filipineve, të dëmtuara rëndë nga një uragan shkatrrimtar, që shkaktoi qindra viktima:
“Lutem për viktimat e për familjet e tyre si dhe për njerëzit e shumtë, që mbetën pa strehë. Uroj që feja e dashuria vëllazërore t’u japin forcë në përpjekjen për t’i bërë ballë kësaj prove, kaq të vështirë”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën iraliane, Papa kujtoi posaçërisht anëtarët e Veprimit Katolik, të cilët i ftoi të jenë, së bashku me barinjtë e tyre, protagonistë të ungjillëzimit të ri. Së fundi, një përshëndetje Lëvizjes së Punëtorëve të Krishterë dhe grupit të lutjes së Institutit Dermopatik të Zojës së Papërlyer (IDI) në Romë, shoqëruar me urimin që t’i zgjidhin sa më shpejt problemet, përballë të cilave janë disa nga institucionet shëndetësore katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.