O Mari, Virgjër e papërlyer, edhe sivjet ndodhemi, me dashuri bijnore, në
këmbët e figurës sate për të të paraqitur rishtas nderimin e bashkësisë së krishterë
e të qytetit të Romës. Ndalemi këtu në lutje, duke ndjekur traditën e nisur nga papët
e mëparshëm në ditën solemne, në të cilën liturgjia kremton të Zënët tënd të papërlyer,
mister që është burim gëzimi e shprese për të gjithë besimtarët. Të përshëndesim e
të thërrasim me fjalët e Engjëllit: ‘Hirplote’ (Lk 1,28), emri më i bukur me
të cilin të thirri vetë Zoti që prej amshimi. “Hirplote” je, o Mari, plot
dashuri hyjnore që nga çasti i parë i jetës sate, e paracaktuar nga Hyji për të qenë
Nëna e Shpërblyesit, bashkëpunëtorja e ngushtë e Tij në misterin e shëlbimit. Në të
Zënët tënd të papërlyer shkëlqen grishja e nxënësve të Krishtit, të thirrur për t’u
bërë, me hirin e Tij, shenjtorë e të papërlyer në dashuri (cfr Ef 1,4). Në ty ndriçon
dinjiteti i çdo njeriu, që është gjithnjë i çmuar para syve të Krijuesit. Kush i sjell
sytë nga Ti, o Nënë gjithëshenjte, nuk e humbet kurrë paqen, sado të vështira të jenë
provat e jetës. Ndonëse e hidhur është përvoja e mëkatit, që e shëmton dinjitetin
e bijve të Hyjit, kush mbështetet tek Ti, rizbulon bukurinë e së vërtetës e të dashurisë
dhe rigjen shtegun që të çon në shtëpinë e Atit. “Hirplote” je ti, o Mari,
që duke pranuar me ‘po’-në tënde planet e Krijuesit, na hape rrugën e shpëtimit. Në
shkollën tënde, na mëso edhe ne t’i themi ‘po’ vullnesës së Zotit. Një ‘po’ që bashkohet
me ‘po’-në tënde pa asnjë kusht e pa asnjë hije, për të cilën Ati qiellor deshi të
kishte nevojë për të lindur Njeriun e ri, Krishtin, të vetmin Shëlbues të botës e
të historisë. Na jep guxim t’i themi ‘jo’ mashtrimeve të pushtetit, të parasë, të
kënaqësisë; fitimeve të pandershme, korrupsionit, hipokrizisë, egoizmit e dhunës.
T’i themi ‘jo’ Djallit, princit mashtrues të kësaj bote e ‘po’ Krishtit, që shkatërron
pushtetin e së keqes me gjithëpushtetin e dashurisë. Ne e dimë se vetëm zemrat e penduara,
të kthyera në rrugën e dashurisë, që është Zoti, mund të ndërtojnë një ardhmëri më
të mirë për të gjithë. “Hirplote”, je Ti, Mari! Emri yt është për të gjitha
breznitë peng i sigurt shprese. Po! Sepse, siç shkruan Poeti i madh Dante, për ne
të vdekshmit Ti ‘je burim i gjallë shprese” (Par., XXXIII, 12). Te ky burim, te gurra
e Zemrës sate të papërlyer, vijmë përsëri, shtegtarë plot me besimin se në Ty do të
gjejmë fe e ngushëllim, gëzim e dashuri, siguri e paqe. Virgjër “hirplote”,
tregohu Nënë e ëmbël dhe e kujdeshsme për banorët e këtij qyteti, që është yti, sepse
e gjallëron dhe e drejton shpirti i vërtetë ungjillor; tregohu rojtare vigjilente
për Italinë e për Evropën, në mënyrë që nga rrënjët e lashta të krishtera popujt të
thithin limfën e re për të sotmen e për të ardhmen e tyre; tregohu Nënë e mëshirshme
për mbarë botën që, duke respektuar dinjitetin njerëzor e duke kundërshtuar çdo formë
të dhunës e të shfrytëzimit, të hidhen themelet e patundura të qytetërimit të dashurisë.
Tregohu Nënë posaçërisht për ata që kanë më tepër nevojë: për të pambrojturit, për
të braktisurit, për të pastrehët, për viktimat e një shoqërie që tepër shpesh e flijon
njeriun për qëllime e interesa të tjera.Tregohu Nënë e të gjithëve, o Mari, e dhurona
Krishtin, shpresën e botës! “Monstra Te esse Matrem”, o Virgjër e papërlyer, hirplote!
Amen! Benedikti XVI: Lutja drejtuar Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës
në Romë. Vatikan 8. 12. 2006