2012-12-06 12:51:21

Shtegtimi i Taizé-së në Romë. Kardinali Valini: t’u kthejmë besimin të rinjve


Rreth 40 mijë të rinj nga e gjithë Evropa do të marrin pjesë në “Shtegtimin e besimit në tokë”, organizuar, si çdo vit, nga Bashkësia ekumenike e Taizé-së, nga 28 dhjetori deri më 2 janar. Kësaj radhe, të rinjtë, ndër të cilët edhe një grup nga Shqipëria, do ta presin Vitin e Ri 2013 në Romë. Programi u paraqit këto ditë në kryeqytetin italian. Mbi domethënien e këtij takimi, flet në mikrofonin tonë, kardinali-vikar i Romës, Agostino Valini:
Më duket se nisma e Taizé-së, e mirëpritur, e inkurajuar dhe e përkrahur nga dioqeza e Romës e nga vetë Ati i Shenjtë, është vërtet me rëndësi të madhe. Jetojmë në një çast historik, në të cilin të gjithë janë të shqetësuar e të pasigurtë për të ardhmen, prandaj, është shumë domethënës fakti që të rinjtë janë protagonistët e këtij mesazhi besimi. Pra, mesazhi është vetë ngjarja e urojmë të sjellë fryte, pasi ka rrezik të madh që të rinjtë ta humbasin besimin. I dëgjojmë të përsërisin çdo ditë: “S’kam besim, s’ka të ardhme…”. Është e vërtetë se edhe ne të rriturit, ne barinjtë e Kishës, jemi të shqetësuar. Personalisht e shfyrtëzoj gjithnjë rastin për të folur me drejtuesit e institucioneve për këtë, pasi kujdesi e vëmendja ndaj të rinjve duhet të jetë parësore në krahasim me çështjet e tjera.
Mbi shtegtimin e të rinjve në Romë, të dëgjojmë edhe frère David i Bashkësisë së Taizé-së:
Të rinjtë vijnë në shtegtim nga e gjithë Evropa për t’u lutur në Romë me të krishterët e kryeqytetit italian, vijnë për të zbuluar Kishën e Romës, një Kishë me histori 2 mijë vjeçare, dëshmi unike për këta djem e vajza, që përpiqen të impenjohen si të krishterë në shoqërinë e sotme. Për shumë prej tyre nuk është e lehtë, nuk e kanë të qartë të ardhmen, nuk dinë si ta ndërtojnë, por duan të jetojnë edhe me të tjerët e jo vetëm me problemet e tyre, duan një botë më vëllazërore, më të drejtë, ku paqen ta kërkojnë të gjithë së bashku. E feja e krishterë, feja në Krishtin nuk jetohet vetëm të dielën, kur shkojmë në kishë. Ajo është nxitje, frymëzim për t’u impenjuar gjithmonë në shoqëri. Të rinjtë e gjejnë frymëzimin në takimin me të tjerët, në shtegtimin e Romës, që i nxit për të vazhduar në udhën e fesë edhe kur kthehen në shtëpi.
Çfarë kërkojnë të rinjtë në këtë shtegtim?
Mendoj se mbërrijnë në Romë me shumë pyetje. Të rinjtë janë të ndryshëm ndërmjet tyre, por kanë të përbashkët nevojën e hapësirës për t’u ndalur e për t’u lutur. E ndjejnë veten të përkrahur nga ky numër impresionues djemsh e vajzash, që vijnë për t’u lutur. Shtegtimi ynë do të jetë udhë në mes të bazilikave të Romës, pasi të rinjtë do të luten çdo herë në një bazilikë të ndryshme. Kjo do t’i bëjë të kuptojnë përmasën universale të Kishës. Të rinjtë, që vijnë në Romë, nuk i përkasin ndonjë lëvizjeje, apo ndonjë grupi të veçantë. Me një fjalë nuk ekziston ndonjë lëvizje e Taizé-së, apo ndonjë grup i Taizé-së. Ata, pasi takohen me bashkësinë e vëllezërve të Taizé-së në Francë, që i ndihmon të jetojnë takimin e tyre me Krishtin e t’ua hapin zemrën të tjerëve, kthehen në atdheun e tyre, në famullitë e tyre, për të dhënë një kontribut si të krishterë e jo si anëtarë të ndonjë grupi të Taizé-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.