2012-12-06 18:16:39

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të kohës së Ardhjes “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së dytë të kohës kishtare të Ardhjes, që përgatit dhe paraprijnë festën e Mishërimit të Zotit, festën e Zotit me ne, Krishtlindjen.
Në dielën e dytë të kohës liturgjike të Ardhjes, liturgjia na ofron si model apo shembull të pritjes së Ardhjes së Zotit, figurën e Gjon Pagëzuesit. Gjoni na fton të shprehim përmes shenjës së pagëzimit, vendimin e kthimit tonë në rrugën e Zotit, të tregojmë përcaktimin tonë për t’u kthyer tek Hyji, çka edhe karakterizon kohën e re, kohën në të cilën vjen shpëtimi jonë. Për të krishterin, pikërisht në kujtimin e pagëzimit personal, gjendet zgjedhja dhe përcaktimi i besimit në Zotin që përfaqëson këtë kthesë vendimtare.
Ne, prandaj përmes lutjes i kërkojmë Zotit forcën për ta orientuar jetën tonë drejt Tij. Lutja e dytë e Meshës së kësaj diele na ofron këtë përmbajtje“…foli sot zemrës së popullit tënd, në mënyrë që në pastërtinë e fesë e shenjtërinë e jetës të mund të ecim drejt ditës në cilën do të shfaqësh plotësisht lavdinë e emrit tënd”.
Teksti i pjesës së Ungjillit ( Lk 3,1-6) të kësaj së diele është thirrje për të përgatitur rrugën, për të rrafshuar shtigjet, në perspektivën e ardhjes së Zotit. Figura e Gjon Pagëzuesit, paraqitur si pararendës i Mesisë, që predikon pagëzimin e kthimit për të pasur faljen e mëkateve, krijon një situatë të re pritjeje, në qendër të së cilës del në pah figura e të priturit: Jezusit, dëftimit të Zotit, atij që na zhytë në Shpirtin e Hyjit.
Profetizimi i Izaisë, në leximin e parë ( Bar 5,1-9), paraprijnë, anticipon kështu shpresën dhe gëzimin të cilit Ungjilli do ti japë plotësimin: flitet për faljen e mëkateve e rivendosjen e miqësisë ndërmjet popullit e Zotit. Hyji kthehet e bëhet bariu i popullit të vet, bëhet udhëheqësi që e fton e mbështet popullin në kthimin e vet drejt Tij.
Kërkesa e kthimit tek Zoti del në pah edhe në leximin e dytë ( Fil 1,4-6.8-11): në pritje të qiellit të ri e të tokës së re, të krishterët janë të thirrur të jetojnë e kalojnë një jetë të shenjtë, të ushtrojnë drejtësinë e durimin, të jetojnë në paqe.
Porosia e leximeve biblike të kësaj së diele është kjo: Zoti vjen për të na shpëtuar. Ai na dhuron Shpirtin e vet në mënyrë që të mund ta orientojmë jetën tonë gjurmëve të tija hyjnore.
Kumtimi i Gjon Pagëzuesit është i ngarkuar plotë me shpresë: “Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit” (Lk 3,6), që është shfaqur në Jezusin, të Birin e të Tejlartit, ardhur, si njeri ndër njerëz, për ti dhënë fillim Shëlbimit tonë. Kremtimi i liturgjisë Hyjnore të dielës së dytë Ardhjes e shton në ne fuqinë shpirtërore për t’ia përgatitur sa më mirë udhët e jetës ardhjes së Krishtit.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Bar 5, 1-9

Profeti Baruk i këndon Jerusalemit si qytetit që merr misionin të jetë në mes popujve qyteti i paqes. Kjo paqe nuk është rezultat i fuqisë, por i dashurisë së Hyjit. Hyji po përgatit një botë të mrekullueshme, ku çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Hyjit, në orën e takimit të gëzueshëm mes Shpëtimtarit dhe njerëzimit. Një takim të tillë Hyji ka guximin tua premtojë bijve të tij dhe ne kemi guximin ta shpresojmë.

Lexim prej Librit të Barukut profet

Hiqe, Jerusalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd e veshu me shkëlqim të lavdisë të nderit të përhershëm që po të vjen prej Hyjit! Mbështillu me mantel të drejtësisë që vjen prej Hyjit, vëre në krye kësulën e lavdisë së të amshueshmit! Sepse Hyji do t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt, gjithkund nën qiell. Për amshim do ta qesë emrin: “Paqja e drejtësisë”, “Lavdia e shërbimit hyjnor!” Ngrihu, Jerusalem, e qëndro në majë, këqyr përreth në lindje, shih si janë bashkuar bijtë e tu prej ku lind dielli u ku perëndon, në urdhrin e Shenjtit, plot gëzim për kujtimin e Hyjit! Prej teje dolën këmbë të dëbuar nga armiku, do t’i bjerë te ti Hyji të mbartur me nder porsi froni i mbretit, sepse Hyji urdhëroi të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të mbushen luginat e të barazohen me tokë, që të kthehet Izraeli i sigurt nën lavdinë e Hyjit! Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet dhe të gjitha lëndët e erandshme. Sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet, me mëshirë e me drejtësi që vijnë pre të lumit.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 126
Punë të mëdha bëri Zoti për ne

O Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!

Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!

Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
Leximi II Fil 1, 4-6.8-11
Shën Pali do t’i drejtojë të krishterët nga filipi drejt një besimi të pjekur dhe gëzohet që ata po rriten në dëshminë dhe në përhapjen e Ungjillit. Edhe për ne është e nevojshme që jeta jonë si bijtë e Hyjit të rritet në kuptimin që do Hyji. Është e mjaftueshme të pranosh veprën e shpëtimit që Ai ka kryer në ne nëpërmjet besimit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, gjithherë e në çdo uratë që them, lutem me gëzim për ju të gjithë për arsye të pjesëmarrjes suaj në përhapjen e ungjillit qysh prej ditës së parë e deri tani. Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në ditën e Krishtit Jezus.
Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit! Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për ditën e Krishtit, plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin – për lavdi e nder të Hyjit.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!
Aleluja ! Aleluja!
Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo njeri do ta shohë shëlbimin
e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Lk 3, 1-6
Gjoni, profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, shpall se shpëtimi i Hyjit po vjen për të gjithë njerëzit e jo vetëm për popullin hebraik. Paraardhësi, për të shpallur ardhjen e Mesisë dhe për të përgatitur dishepujt e parë, i referohet profetit Izaia që shpall kohën e Mesisë si kohë çlirimi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës; kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të Zakarisë, në shkreti. Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve në përkim me sa shkruan në librin e predikimeve të Izaisë profet: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshëta. E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.”
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.