2012-12-05 17:28:43

Lezha e Komani: një ekspozitë në Tiranë rrëfen periudhën mesjetare


Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në muzeun historik kombëtar në Tiranë, është hapur ekspozita "Mesjeta në Shqipëri, Komani-Lezha 2008-2012". Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite, e cila pasqyron zbulimet arkeologjike në zonën e Komanit dhe të Lezhës, përgjatë periudhës së mesjetës, ministri i turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve të Shqipërisë, Aldo Bumçi, vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se në Shqipëri ka një numër të madh kalash dhe kështjellash, që janë dëshmi e qartë e pasurisë e Shqipërisë. Kalatë dhe kështjellat, tha ministri Bumçi, "janë ndërtuar për të mbrojtur pasuritë, trashëgimit materiale dhe shpirtërore, prandaj duke parë numrin e tyre mund të nxjerrim përfundimin se atdheu ynë është një vend i pasur".
Drejtori i Muzeut Historik, Luan Malltezi, e vlerësoi ekspozitën si një nga më të pasurat me materiale arkeologjike. "Kjo ekspozitë mbart një numër të konsiderueshëm zbulimesh dhe paraqet traditën e vendit tonë. Realizimi i saj nga një grup i njohur arkeologësh i japin vlera edhe më të mëdha zbulimeve historike të realizuara", theksoi Malltezi.
Ekspozita, e cila u mbështet nga Ministria e TKRS, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, etj, u realizua nga ekspedita Shqiptaro-Franceze, me drejtues Etleva Nallbanin, kërkuese shkencore dhe francezin Luc Buchetm inxhinier kërkimesh. Studiuesit dhe kërkimet e tyre u përqendruan në zonën e Komanit dhe të Lezhës të njohura për pasurinë kulturore dhe historike të tyre. Sipas konkluzioneve të nxjerra nga kjo ekspeditë, Komani dhe Lezha kanë pësuar transformime thelbësore, duke u kthyer në dy qendra të rëndësishme urbane në fillim të periudhës së mesjetës.
Në Koman studiuesit vlerësuan organizimin specifik kulturor e shoqëror. Qyteti ishte i rrethuar nga 5 Kisha, të cilat përveç se u kthyen në qendrën kryesore ku u zhvillua ekonomia dhe prodhimi, siguronin dhe vazhdimësinë e varrimeve, duke sjell modifikime të rëndësishme të hapësirës urbane. Studiuesit gjithashtu kanë vlerësuar si karakteristikë kryesore të kësaj zone prodhimin e metalit dhe kjo për shkak të zbulimit të një ndërtese artizanale, që sipas arkeologëve është një punishte tipike metali, çka e shpjegon lidhjen e ngushtë të kësaj zone me tregtimin e objekteve metalore të gjetura gjatë kërkimeve.
Sa i takon zonës së Lezhës, studiuesit dolën në konkluzionet se zona ishte një nga pikat kyçe ku romakët kalonin për të shkuar në krahinat danubiane. Karakteristikë e zonës janë dhe varrezat, si dhe materialet e gjetura në to. Zbulimet tregojnë se në gërmimet e kryera në këto varreza mund të identifikohen lehtësisht historia e popullsisë së kësaj zone përgjatë shekujve.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.