2012-12-05 14:41:10

Letër e Palestinës për OKB-në: akuza për “krime lufte” kundër Izraelit


Të nesërmen e njoftimit izraelit për ndërtimin e 1700 shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor, Palestina, shtet i sapopranuar në OKB si vëzhgues, i dërgoi një letër Kombeve të Bashkuara, me të cilën akuzon shtetin hebraik se po planifikon “krime lufte” gjatë zgjerimit të ngulimeve të kolonëve. Gjithashtu, e akuzon se është përgjegjës për pengimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Por çfarë qëndron pas vendimit të Izraelit për ekspansion territorial? Pyetëm pedagogun e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Torinos, Luigji Bonanate:
Mendoj se kësaj radhe, arsyeja duhet gjetur kryesisht në politikën e brendshme: Netanijahu po shkon drejt zgjedhjeve të janarit. Ngjarjet e fundit shkaktuan entuziazëm në të gjithë botën, madje edhe në një pjesë të opinionit publik izraelit, që e festoi vendimin e OKB-së për Palestinën, pasi – sidoqoftë – përfaqëson shkëputjen nga tradita e trajtimit të këtij problemi, i cili nuk zgjidhet kurrë. Por Netanijahu përfaqëson të djathtën në qeveri, që, natyrisht, nuk u gëzua aspak. Prandaj pati nevojë t’i japë një sinjal pikërisht kësaj së djathte.
E gjithë bota u revoltua. Katër vende evropiane thirrën në raport ambasadorët izraelitë, pas njoftimit për ngulimet e kolonëve. Sipas jush, a ka rrezik të izolohet Izraeli?
Sipas meje, jo. Ngjarjet e fundit rihapën plagën e historisë së tmerrshme e të frikshme, që vazhdon prej 64 vjetësh. Kjo gjendje tërhoqi vëmendjen e gjithë botës e rizgjoi dëshirën për gjetjen e zgjidhjes. Fakti që Bashkimi Evropian ankohet e që SHBA-të, të cilat kanë mbrojtur gjithmonë Izraelin, e kritikojnë atë, do të thotë se diçka po ndryshon, po shkohet drejt një qëndrimi më të shëndoshë. Demokracia është rendi i një bote, në të cilën diskutohet, flitet e nuk vringëllohen armët. Duhet braktisur sistemi i vjetër, sipas të cilit aleatët duhen mbrojtur gjithmonë, pavarësisht nga veprimet e tyre. Duhet të jemi gati edhe të pranojmë kritikat. Izolimi i Izraelit mund të ndodhë nëse ai vazhdon të kryejë akte të pajustifikuara, por mendoj se kjo mund të përjashtohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.