2012-12-05 18:13:52

Krishtlindja me Papën


Koha e Ardhjes filloi e me të, edhe përgatitja e madhe shpirtërore për ta pritur sa më mirë Krishtin, që vjen përsëri mes nesh në grazhdin e vrazhdë.
Sivjet, përmes rubrikës radiofonike titulluar “Krishtlindja me Benediktin XVI” ecim kah Shpella e Betlehemit, pas Papës Ratcinger, duke shfletuar ditë për ditë librin e tij të fundit, “Fëmijëria e Jezusit”, vëllim i tretë i veprës “Jezusi i Nazaretit”, kushtuar fëmijërisë së Krishtit, tashmë në duart e lexuesve të mbarë botës.
Kujtojmë se libri, me 176 faqe, katër kapituj e një hyrje të shkurtër, shtypur përnjëheresh në nëntë gjuhët kryesore të botës nga Shtypshkronja e Vatikanit e nga Shtëpia mirënjohur Botuese italiane Rizzoli, doli më 20 nëntorin e kaluar në libraritë e 50 vendeve të botës, me një milion kopje. Së shpejti do të përkthehet në 20 gjuhë të tjera e do të shpërndahet në 72 vende.
“Më në fund munda ta dorëzoj në duart e lexuesit librin e vogël, të premtuar qëkur, kushtuar rrëfimeve mbi fëmijërinë e Jezusit, shkruan Benedikti XVI në parathënien e librit, duke na sqaruar se u përpoq të interpretojë, në dialog me ekzegjetët e së kaluarës e të së sotmes, atë që rrëfejnë Mateu e Luka në krye të Ungjijve të tyre, mbi fëmijërinë e Jezusit. Një interpretim i drejtë, kujton Papa, kërkon dy hapa. Nga njëra anë duhet pyetur ç’deshën të thonë me rrëfimin e tyre dy autorët, në atë çast historik. E kjo është ana historike e interpretimit të tekstit biblik. Por nuk mjafton ta lësh tekstin në të kaluarën, duke e arkivuar kështu ndërmjet ngjarjeve të perënduara kohë më parë.
Më pas Papa bën një pyetje themelore, pa të cilën shtegtimi ynë kah Shpella e Betlehemit do të merrte ngjyrime folklorike: “Është e vërtetë ajo, që thuhet për Lindjen e Krishtit? Më përket edhe mua? E në se më përket, pse e si?”.
Papa pyet e edhe përgjigjet me gjithë librin e ri, shkruar për të rihapur diskutimin teologjik duke na shoqëruar kah e Vërteta.
Përballë një teksti, si ai biblik, autori i fundit e më i thellë i të cilit, sipas fesë sonë, është vetë Zoti, pyetja rreth lidhjes të së kaluarës me të sotmen, është pjesë e pashmangshme e vetë interpretimit. E kjo nuk e zbeh aspak kërkimin shkencor historik, përkundrazi, e thellon. Papa na ndihmon të hyjmë në dialog me tekstet, duke e gërshetuar të kaluarën me të sotmen e me të ardhmen, me vetëdijen se ky dilaog do të vijojë sa të vijojë vetë jeta njerëzore, sepse çdo interpretim mbetet i pakryer, në krahasim me madhështinë e tekstit biblik. Ati i Shenjtë e mbyll hyrjen me shpresën se libri i vogël mund t’i ndihmojë shumë njerëz në shtegtimin e tyre kah Krishti e me Krishtin. Nisemi, kështu, për shtegtim, duke ndjekur Papën, nga pyetja aq aktuale e Pilatit dhe jona, tek lajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit e vetë Jezusit; Lindja e Krishtit në Betlehem, mbërrijtja e Mbretërve Dijetarë, Kometa, adhurimi, ikja në Egjipt e deri tek prania e Jezusit dymbëdhejtëvjeçar në tempull, ndërmjet dijetarëve.Në emisionin e dytë, pyetja e Pilatit drejtuar Krishtit “Ti, prej nga vjen?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.