Kongresi Kisha në Amerikë. Kardinali Ouellet: pa unitet të vërtetë nuk mund të ketë
forcë misionare.
Të dielën e ardhshme Papa do t’u urojë mirëseardhjen në Bazilikën e Shën Pjetrit,
në Vatikan, pjesëmarrësve në Kongresin ndërkombëtar “Kisha në Amerikë”, organizuar
nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine e nga Kalorësit e Kolombos, në bashkëpunim
me Institutin e Lartë të Studimeve Guadalupane. Takimi i madh do të mbahet në Vatikan
nga data 9, deri më 12 dhjetor. Kongresi u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit
nga kardinali Mark Ouellet, kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Është
takim me shumë rëndësi, që mblidhet 15 vjet pas Sinodit të ipeshkvijve për Amerikën
Latine, përqendruar tek tema: “Takimi me Jezu Krishtin e gjallë, udhë për shndërrim,
bashkim e solidaritet në Amerikë”, i cili përfundoi më 12 dhjetor 1997. Dy vjet më
pas, fryti më i pjekur i kësaj asambleje, kujtoi kardinali Ouellet, ishte Nxitja apostolike
Ecclesia in America, nga e cila do të frymëzohet edhe ky Kongres, tha Hirësia
e Tij, për të thelluar lidhjet e bashkimit e të bashkëpunimit ndërmjet Kishave të
Kontinentit: “Trashëgimia e çmuar e fesë së krishterë, që sot po i nënshtrohet
erozionit, shaktuar nga valët e shekullarizimit, nga ndikimi i kulturës globale, gjithnjë
më e largët e më armiqësore si dhe nga përhapja e sekteve, ka nevojë të përhershme
për rigjallërim, riformulim, riaktualizim”. Është fjala, vijoi kardinali Ouellet,
për të përballuar problemet e përbashkëta si dhe sfidat e reja të këtyre 15 vjetëve:
nga tema e ngutshme e emigracionit, tek rrjeti i trafikut e i përdorimit të drogës;
nga politikat për ta luftuar, tek dhuna në zemrën e qyteteve, posaçërisht në radhët
e të rinjve; nga sulmet kundër kulturës së jetës, tek institucioni i familjes; nga
promovimi i edukimit katolik, tek situata e tmerrshme e mjerimit; nga mbrojtja e lirisë
fetare, tek mbrojtja e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, siç ka bërë vazhdimisht,
me një prani të fortë publike, episkopati në SHBA. Kjo ndihmon, shpjegoi Hirësia e
Tij, edhe për formimin e ndërgjegjeve si dhe për dëshminë e Kishës në kulturën bashkëkohore: “Dhe
gjithë kjo inkuadrohet brenda kushteve të reja të rishqyrtimit të marrëdhënieve politike,
ekonomike e kulturore ndërmjet SHBA, Kanadasë dhe Vendeve latinoamerikane, në kërkim
të dialogut më të thellë, të mirëkuptimit, të respektit, solidaritetit e drejtësisë”. Prandaj,
përfundoi kardinali Ouellet, duhen krijuar rrjete miqësie në të gjithë kontinentin,
me ndjesi besnike të shërbimit e të përkatësisë ndaj Kishës. Pa harruar se këtu jetojnë
50% e katolikëve të mbarë botës: “Pa unitet të vërtetë e të fortë, nuk ka protagonizëm,
as misionar e as shoqëror”. Më se 200, pjesëmarrësit në Kongres, mbledhur
nga mbarë kontinenti amerikan, si dhe drejtuesit e dikastereve të Vatikanit, eprorët
dhe eproret e përgjithshme të Urdhërave e Kongregatave e rektorët e Kolegjeve Papnore
me seli në Romë. Punimet do të nisin më 9 dhjetor, me një Meshë, në orën 18.30, në
Bazilikën e Vatikanit, pasuar nga takimi me Benediktin XVI, e do të përfundojnë më
12 dhjetor, me një kremtim eukaristik, në orën 18.30, në kishën e Shën Marisë në Traspontinë,
në festën e Zojës së Gudalupes, Pajtore e Amerikave.