2012-12-04 16:51:08

Ta jetojmë Kohën e Ardhjes mirë, për t’a përjetuar forcën e Fesë në Zotin.


Të dielën e kaluar për Kishën Katolike filloi Koha liturgjike e Ardhjes, koha e përgatitjes shpirtërore për Krishtlindjen, festën e lindjes së Foshnjës Hyjnore. Në këtë periudhë shpirtërore, Kisha na fton të meditojmë mbi Mishërimin e Zotit, i cili në Jezusin, na zbulohet si njeri e hyn në botë e në histori për të na treguar rrugën e Shpëtimit.
Kjo periudhë vjen çdo vit, por çdo herë sjell risi. Janë disa nga risitë e këtij viti. Së pari, risia vjen nga Shpirti Shenjt, sepse çdo vit, Shpirti Shenjt Zot u jep jetë të re fjalëve, të cilat i dëgjojmë në një kontekst gjithnjë të ri. Ashtu si Fjala e Zotit, pavarësisht se është po ajo, është gjithnjë e re, sepse situata është e ndryshme e Shpirti Shenjt vë në dukje anë të reja të saj, ashtu edhe Kisha, në këtë çast, përjeton dy tema të mëdha: ungjillëzimin, që ishte tema e Sinodit të fundit mbajtur në Vatikan dhe, Viti i Fesë, shpallur nga Benedikti XVI në tetorin e kaluar. Prandaj Koha e Ardhjes është e përshtatshme për t’i dhënë kuptim konkret këtij Viti të Fesë, sepse në qendër të kësaj Kohe është pikërisht feja e Shën Marisë, feja e barinjve dhe feja e Mbretërve Dijetarë. Pra, nuk mund ta fillojmë më mirë këtë Vit kushtuar Fesë se sa me përjetimin sa më të plotë të Kohës së Ardhjes.
Për këtë Kisha na fton të përgatitemi shpirtërisht, po si të përgatitemi, që ta jetojmë sa më mirë Kohën e Ardhjes?
Përgatitja e jashtme bëhet duke i lënë më tepër hapësirë heshtjes, lutjes, kundrimit. Kohët e forta shërbejnë edhe për këtë: për t’u shkëputur një çast nga ritmi i zakonshëm i jetës. Natyrisht, nuk mund ta pakësojmë impenjimin, punën, por duhet të ulim zhurmën e televizionit e të gjërave të tjera, në mënyrë që të hyjmë në një atmosferë heshtjeje e përshpirtërie më të madhe. Por, në fund të fundit, rëndësi ka hapja e zemrës sonë njerëzore ndaj Shpirtit Shenjt Zot, pasi Shpirti Shenjt është prani e gjallë e Krishtit. Koha e Ardhjes ka kuptim për faktin se rijetojmë pritjen, ardhjen e Krishtit, por kush e bën të pranishëm Krishtin në Kishë e në histori, është pikërisht Shpirti Shenjt. Ai erdhi mbi Shën Marinë e mbi Apostuj dhe në këtë Kohë Ardhjeje duhet të vijë mbi të gjithë të krishterët. E Shpirti Shenjt vjen, siç pohojmë gjatë çdo Meshe në ‘Besojmën’ e krishterë, por e rëndësishme është që njerëzit ta dëshirojnë këtë, ta presin, sepse siç thotë Shën Bonaventura: “Shpirti Shenjt shkon aty ku e presin, ku e dëshirojnë dhe ku e duan”.
Kjo pritje shpirtërore zgjat katër javë. Të shohim cila është rruga, që na propozon liturgjia?! Brenda Kohës së Ardhjes, ekziston një rrugë afrimi, që intensifikohet duke shkuar drejt Krishtlindjes. Për shembull, në fillim, liturgjia na propozon sidomos Izainë profet, tekstet e tij, që shpallin Kohën shëlbuese të Ardhjes, duke u nisur nga larg. Pastaj, në javën e dytë dhe të tretë, figura qendrore është shën Gjon Pagëzuesi, pararendësi i Jezusit, pra afrohemi edhe pak më tepër. Në të dielën e fundit të Ardhjes mbizotëron figura e Shën Marisë. Do të thosha se shoqja më e mirë e udhëtimit gjatë Kohës së Ardhjes, është pikërisht Zoja, pasi e ka përjetuar këtë periudhë si çdo nënë në prag të lindjes së fëmijës, që ka në bark: me përshpirtëri, me intensitet, me dhembshuri të veçantë. Pra, Maria mund të na ndihmojë me siguri të shkojmë drejt Krishtit, jo pa menduar e pa e dashur Atë, por duke shkuar drejt Krishtit pikësëpari me zemër e pastaj, duke numëruar ditët. Në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes, Kisha flet për pritjen, shpresën, vlerën e jetës së re, që lind.







All the contents on this site are copyrighted ©.