2012-12-04 12:01:34

Izraeli njofton se do të ndërtojë 1700 shtëpi në Jeruzalemin Lindor


Reagimi i Izraelit pas votës së OKB-së për njohjen e Palestinës si shtet vëzhgues jo anëtar nuk vonoi. Tel Avivi njoftoi se do të ndërtojë 1700 shtëpi në Jeruzalemin Lindor, duke zgjeruar kështu ngulimet e kolonëve izraelitë. Lajmi, i ardhur menjëherë pas vendimit për të bllokuar derdhjen e taksave të doganës, vjelur për llogari të Autoritetit kombëtar Palestinez, shkaktoi kundërshtime e kritika të fuqishme nga ana e Evropës, SHBA-ve, Rusisë e Kinës. Britania e Madhe, Franca, Spanja dhe Suedia kanë thirrur ambasadorët izraelitë për sqarime. Shtëpitë e Jeruzalemit Lindor u shtohen kështu 3000 të tjerave, që do të ndërtohen në Çisjordaninë e pushtuar në Luftën e gjashtë ditëve. I kërkuam një koment njërit prej drejtuesve të Institutit italian Arkivor për Çarmatimin, Mauricio Simonçeli:
Gjendemi para një situate jashtëzakonisht të veçantë, siç është, fatkeqësisht, gjithë konflikti izraelito-palestinez. Praktikisht, dy pjesë të territorit – Çisjordania, nga njëra anë dhe, Gaza, nga ana tjetër – janë nën kontrollin e shtetit izraelit, i cili ka edhe disa funksione, që nuk mund të administrohen nga Autoriteti Palestinez. Njëra prej tyre është çështja e taksave. Bllokimi, nga ana e Izraelit, i derdhjes së taksave, të cilat u duhen kthyer palestinezëve, është sinjal i një gjendje shumë të vështirë brenda qeverisë izraelite. Ndoshta, nuk e prisnin që kaq shumë vende t’i jepnin votën Palestinës në OKB. Vetëm 9 vende votuan kundër e rreth 40 abstenuan. Kështu, Izraeli u izolua nga e gjithë bota e i mbetën vetëm aleatët e tij më besnikë. Nga ana tjetër, duket qartë se qeveria e Tel Avivit e ka të vështirë të gjejë zgjidhje të tjera, përveç tregimit të muskujve. Edhe ky vendim për ngulime të reja, duke zënë një pjesë tjetër të Territoreve Palestineze e duke e shpallur edhe një herë Jezruzalemin si kryeqytet të Izraelit, tregon qartë se politika nuk është në gjendje ta përballojë problemin me gjakftohtësi.
Prof. Simonçeli, kujtojmë se Palestina u njoh vërtet nga OKB-ja, por akoma mbetet shumë rrugë për të bërë. Megjithatë, që tani, Palestina mund t’i kërkojë Gjykatës Penale Ndërkombëtare të shqyrtojë disa çështje, apo jo?
Sigurisht. Gjendja i krijon vështirësi të jashtëzakonshme Izraelit dhe e dimë se sjellja e qeverisë izraelite dhe e forcave të armatosura të kolonëve ndaj popullsisë civile palestineze mund të jetë objekt i ndërhyrjeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Nervozizmi i Tel Avivit tregon se izraelitët janë të vetëdijshëm se mund të përfundojnë nën lenten e Gjykatës.
Një nga çështjet mund të jetë, për shembull, ajo e murit, që ndan izraelitët nga palestinezët. Cilat janë të tjerat?
Janë të ndryshme. Është puna e kolonëve, e ngulimeve të tyre, që Izraeli ishte impenjuar zyrtarisht të mos i ndërtonte më, sidomos në zona të caktuara, por tani deklaron se do të vazhdojë me ndërtimet. Kemi sjelljen ndaj bujqve palestinezë, që shpesh sulmohen e ngacmohen nga ana e kolonëve izraelitë, ose nga ana e forcave të armatosura. Ka pra, arsye të ndryshme, për të cilat palestinezët mund t’i drejtohen Gjykatës Penale Ndërkombëtare, që deri tani, nuk mund të ndërhynte, pasi Palestina nuk njihej si shtet. Nga ana tjetër, të vazhdojmë të themi se izraelitët e palestinezët – e vetëm ata – duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur problemet e tyre, do të thotë të harrojmë se nuk e kanë bërë këtë për 60 vjet me radhë. Gjithashtu, njohja e Palestinës nga OKB-ja i ka dhënë rëndësi presidentit Abu Mazen, i cili përfaqëson palestinezët e moderuar, por ekziston edhe Hamasi, i cili flet qartë për shkatërrimin e shtetit të Izraelit.







All the contents on this site are copyrighted ©.