2012-12-04 12:01:21

Benedikti XVI seminaristëve të Kolegjit Anglez: feja e pakicës mund t’i kallë zjarrin botës.


Mjaftojnë pak njerëz me fe të patundur, për ta përhapur Ungjillin me shpejtësinë e pikës së vajit. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën me drejtuesit dhe seminaristët e Kolegjit të nderuar Anglez të Romës, të cilët i priti në audiencë, në Vatikan.
Fjalim i zjarrtë, ai i Benediktit XVI, sepse është pikërisht zjarri ai, që Papa kërkon ta kallë flakë në gjirin e shoqërisë. Flakë feje, e nuk kanë aq rëndësi numrat, sa zelli i atij, që e ndez. Përballë 70 anëtarëve të Kolegjit Anglez, mbledhur në Sallën Klementine, Benedikti XVI u nis nga historia e lashtë, 650 vjeçare, e institucionit, që krenohet me paraardhës si Shën Bonifaci, ungjillëzues i Gjermanisë, e para tij akoma, Papa Gregori i Madh i cili, kujtoi, e nisi Shën Agostinin e Kanteburit për të mbjellur farën e fesë në trojet anglosaksone. Gjashtë shekuj e kaluar, histori feje e martirizimi, vërejti Ati i Shenjtë, e bënë tejet të dukshme një të vërtetë të madhe:
“Those who have truly encountered Christ…
Ata që e takuan me të vërtetë Krishtin, nuk mund të rrinin pa folur për Të. Shën Bonifaci, Shën Agostini Kanteburit, Shën Françesk Saveri, festën e të cilit sapo e kremtuam, e shumë e shumë misionarë të tjerë, na dëshmojnë se dashuria e zjarrtë për Zotin ngjall dëshirën e thellë për t’ua çuar edhe të tjerëve, që ta njohin të gjithë”.
E si mund të dëshmohet Krishti? “Më mirë sot, se nesër”, është ftesa e Papës, i cili citoi atë që, në shekullin XVI, qe moto e martirit të parë të Kolegjit Anglez, Shën Ralph Sherwin. Dhe është e drejtë, shtoi Ati i Shenjtë, që nderoni kujtimin e 44 ish-nxënësve të Kolegjit tuaj, të cilët derdhën gjakun për Krishtin. Duke përmendur Shën Ralph-in, Papa u kujtoi seminaristëve:
“You are called to imitate their love for the Lord…
Jeni të thirrur ta imitoni dashurinë e tij për Zotin e zellin e tij për ta bërë të njohur, potius hodie cras (më mire sot se nesër). Pasojat, frytet, mund t’i lëshoni plot besim në duart e Krishtit. Detyra juaj e parë, prandaj, është ta njihni ju vetë Krishtin e koha e kaluar në seminar ju krijon rastin e përshtatshëm për këtë njohje”.
Lëreni Jezusin t’ju pushtojë me hirin e Tij, vijoi Papa, posaçërisht duke komunikuar me Të përmes lutjes, në të cilën zemra i flet zemrës, siç pati thënë i Lumi John Henry Newman, lartuar në nderimet e elterit pikërisht nga Benedikti XVI, gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010. E duke kujtuar ekzistencën e ‘etjes së madhe shpirtërore’, që vërejti gjatë këtij shtegtimi apostolik, Papa kujtoi ungjillëzimin e ri në këto anë të botës, në të cilat flaka e Ungjillit u ndez shumë kohë më parë, por, me kalimin e kohës nisi të zbehet të kthehet në prush, e prushi në hi të vakët. Prej këndej, duhet t’i fryjmë përsëri prushit, t’i fryjmë fort, që ta kallë flakë gjithë shoqërinë:
“Just as a small fire can set…
Ashtu si flakëza e vogël mund të djegë një pyll të tërë, kështu edhe dëshmia besnike e disave mund ta përhapë forcën spastruese e shndërruese të dashurisë së Zotit me shpejtësinë e pikës e vajit, në gjirin e një bashkësie të tërë, të një kombi të tërë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.