Atë Lombardi: Prania e Papës në Twitter është mesazh e ftesë për të gjithë
24 orë pasi Papa Benedikti XVI u regjistrua në rrjetin shoqëror Twitter, me mijëra
vetë nga e gjithë bota, me një “klik” të thjeshtë, u bënë ndjekësit(followers) e Atit
të Shenjtë. Vetëm në faqen e Papës në gjuhën angleze, ndjekësit e kanë kaluar 350
mijëshin. Dhjetra mijëra edhe kontaktet në faqet në 7 gjuhët e tjera. Për këtë përgjigje
të internautëve, të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit,
atë Federiko Lombardi: Nuk çuditem që përgjigjja është kaq e madhe, pasi, që
në javët e kaluara, jam pyetur vazhdimisht se kur do të ishte i pranishëm Papa në
Twitter, si do të ishte faqja e tij e kështu me radhë… Prandaj, sidomos në botën e
komunikimit, munda ta verifikoj personalisht interesin e madh e kjo do të thotë se
nisma është e qëlluar. Është sinjal i aftësisë së Atit të Shenjtë dhe i bashkëpunëtorëve
të tij për t’iu përgjigjur aspiratave, që ndjehen në ajër. Duke e paraqitur
këtë nismë, kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Çeli, tha
se prania në Twitter lind nga dëshira e Papës për të takuar burrat e gratë e kohës
sonë, aty ku ndodhen… Shumë e vërtetë, sepse takimet, sot, ndodhin natyrisht
e si gjithmonë ballë për ballë – e kjo mbetet një nga aspektet thelbësore të jetës
sonë të përditshme me të tjerët – por edhe në “kontinentin dixhital”. Këto takime
mund të jenë sipërfaqësore, jo aq të thella, por mund të jenë edhe domethënëse, me
shumë kuptim. Prandaj, është detyra jonë t’i vlerësojmë këto mundësi e t’i tregojmë
botës, që po zhvillohet me shpejtësi marramendëse, se në shoqëri duhet të vendosim
elemente takimi më të thella, duhet të komunikojmë përmes ideve, ndjenjave, zemrave
e mendjeve. Me praninë e tij në Twitter, Papa u bën thirrje besimtarëve të
ungjillëzojnë internetin. Si duhet përballuar kjo sfidë? Papa ka pasur disa
përvoja të vogla të këtij lloji edhe në të kaluarën. Për shembull, mesazhet e celularëve
gjatë Ditëve Botërore të Rinisë. Kujtoj mirë atë të Sidnejt: për herë të parë, u dërguan
mesazhe celulari me fraza të Papës, nënshkruar “B16”. Pastaj, hapëm kanalet në Youtube
e tani, prania në Twitter, e cila është mesazh për të gjithë. Nuk është fjala vetëm
për përhapjen e mesazheve të Papës në internet, por Bariu, kreu i Kishës jep shembullin
personal dhe, në një farë kuptimi, i fton të gjithë të merren me këtë përmasë të re
të komunikimit. Natyrisht, Papa është i pranishëm me mënyrën e vet, që në disa raste,
mund të jetë përgjigjja ndaj pyetjeve, siç ndodh tani në Twitter. Normalisht, mund
të jetë publikimi i fjalëve, që sintetizojnë fjalimet dhe mesazhet e tij. Duhet të
mendojmë se Papa është në krye të një bashkësie të madhe dhe, është kjo bashkësi,
e cila duhet të jetë komunikative dhe bashkëvepruese me të gjithë njerëzit në kërkim,
që kanë pyetje për të bërë. Pra, Papa jep shembullin, na lë një mesazh. Përgjigjet
që kërkojmë, nuk është e thënë të na i japë ai personalisht, por mund t’i gjejmë në
Kishë. Të gjitha mediat e Vatikanit po impenjohen ta zgjerojnë dhe ta thellojnë
praninë e tyre në internet. Me ç’perspektiva? Mediat vatikanase janë prej kohësh
aktive, të pranishme në web, që është rruga e re për të komunikuar mesazhet e tyre,
mesazhet e Papës e të Kishës Universale. Kohët e fundit është zhvilluar jashtëzakonisht
bashkëveprimi brenda rrjeteve shoqërore, që akoma duhet t’i kuptojmë më mirë për të
qenë të pranishëm si duhet. Prandaj, prania e Papës në Twitter është një mesazh i
qartë: përpiqemi jo vetëm t’u themi tonën të tjerëve, por të hyjmë në një bashkësi
të madhe në dialog. Më kujtohet se kur Papa erdhi në Radio Vatikan, duke folur në
emision të drejtpërdrejtë, nga mikrofoni ynë, tha pikërisht se komunikimi i sotëm
është dykahesh. Pra, komunikim do të thotë të hysh në dialog me burrat e gratë e kohës
sonë e të ndërtosh një bashkësi, një familje, me dialog. Për këtë, rrjeti i internetit
na jep mundësi të reja. Duhet të mësojmë ta përdorim më mirë. Juve personalisht,
si njeri i komunikimit, çfarë ju bën përshtypje në këtë impenjim të Papës, teolog
i hollë, nga njëra anë, por përdorues i rrjeteve shoqërore, nga ana tjetër? Do
të thosha se Papa e kupton fort mirë situatën. Natyrisht, si njeri i moshuar e si
të gjithë njerëzit, që kanë një farë moshe, nuk ka lindur në botën e internetit, prandaj
i përdor rrjetet shoqërore ndryshe nga të rinjtë. Por e kupton rëndësinë, mundësitë,
që japin ato dhe, e fton Kishën të jetë e pranishme. E është gati të verë në dispozicion
edhe fjalën e tij, si mesazh, që qarkullon në rrjetet shoqërore. Para propozimeve
inteligjente, të arsyeshme, të bashkëpunëtorëve të vet, është gjithnjë gati të bashkëpunojë
me autoritetin dhe fjalën e tij, që Kisha të hyjë në dialog me botën e sotme. Vetë
inteligjenca dhe ndjeshmëria e tij si person, ndihmojnë të bëhen hapa përpara në këtë
drejtim, me qetësi e pa probleme.