2012-12-03 15:30:15

Takimi i kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi sot se çështja kryesore që nesër do të diskutohet në takimin me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic në Bruksel është implementimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Sipas Thaçit kjo marrëveshje përcakton edhe kufirin në mes Shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Në mbledhje të qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi tha se fillimi i implementimit të kësaj marrëveshje shënon një kthesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes Shtetit të Kosovës dhe të Serbisë.
Gjithnjë gjatë mbledhjes, kreu i ekzekutivit njoftoi kabinetin qeveritar për takimin që do të mbahet nesër në Bruksel. “Dëshiroj të theksoj se fillimi i implementimit të kësaj marrëveshje shënon një kthesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, një kthesë në implementimin e kritereve dhe standardeve evropiane. Kjo marrëveshje përcakton edhe kufirin në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, prandaj dëshiroj t’i falënderoj të gjithë aktorët edhe ndërkombëtarë të kyçur në këtë proces, që janë duke ndihmuar maksimalisht edhe Qeverinë e Kosovës, por që janë duke e lehtësuar këtë përkushtim edhe të Serbisë”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Pos këtij argumenti, kryeministri Thaçi bëri të ditur se do te diskutohet edhe për mundësinë e përmbylljes së procesit të hapjes së zyrave ndërlidhëse të Shtetit të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, si dhe mundësinë e përshpejtimit të agjendës për fillimin e implementimit të projektit infrastrukturor në mes të Kosovës dhe Serbisë, të autostradës Besi në drejtim të korridorit evropian në Serbi.







All the contents on this site are copyrighted ©.